Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku se po pengojnë kryerjen e një ndërhyrjeje kirurgjikale për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burgun e Fierit dhe ka një frakturë në këmbë.
Në një reagim publik, Berisha e cilësoi këtë qëndrim si “çnjerëzor” dhe pretendoi se mosmiratimi i ndërhyrjes mjekësore lidhet me kundërshtimin e Veliajt ndaj, sipas tij, urdhrave për t’ia dorëzuar drejtimin e Bashkisë së Tiranës Arbër Hajdarit.
Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu prokurorët e çështjes për heshtje ndaj situatës, duke e cilësuar atë si një “krim shtetëror”. Ai pretendoi se gjendja shëndetësore e Veliajt mund të përbëjë rrezik për jetën e tij.
Në reagimin e tij, Berisha iu drejtua disa institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë Komitetin Antitorturë, Komisionerët për të Drejtat e Njeriut pranë Këshillit të Evropës, OSBE-në, OKB-në dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre urgjente për të garantuar trajtimin mjekësor të kryebashkiakut.
Reagimi i Berishës vjen pas letrës që Erion Veliaj i drejtoi Belinda Ballukut nga burgu i Fierit, përmes së cilës kërkoi miratimin për të kryer operacionin në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes. Në letër, Veliaj pretendoi se kërkesat e mëparshme drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve nuk kishin marrë përgjigje.