Dëmet e shkaktuara nga trazirat dhe aktet e vandalizmit gjatë protestave për koston e jetesës në Francë, më 17 dhe 18 tetor, mund t’u kushtojnë kompanive të sigurimit rreth 207 milionë euro. Vlerësimi paraprak është bërë nga federata franceze e sigurimeve, France Assureurs, bazuar në të dhënat e mbledhura deri më 12 nëntor, të cituara nga Euronews.
Sipas federatës, janë regjistruar gjithsej 5 280 kërkesa për dëmshpërblim. Mbi 95% e vlerës së dëmeve, ose rreth 198 milionë euro, lidhet me pronat e bizneseve, për të cilat janë paraqitur 4 050 kërkesa.
Ndërkohë, dëmet në pronat e individëve vlerësohen në rreth 3.5 milionë euro, përmes 370 kërkesave, ndërsa dëmet në automjete arrijnë në rreth 6 milionë euro, me 860 kërkesa për dëmshpërblim.
Presidentja e France Assureurs, Florence Lustman, deklaroi se kostoja e dhunës urbane të 17 dhe 18 tetorit është veçanërisht e lartë, duke pasur parasysh kohëzgjatjen e shkurtër të ngjarjeve.
Për krahasim, trazirat e vitit 2005 u kushtuan kompanive të sigurimit 209 milionë euro gjatë katër javëve, ndërsa lëvizja e “Jelekëve të Verdhë” në vitet 2018–2019 shkaktoi dëme të siguruara në vlerën 256 milionë euro, gjatë disa muajve.
Vlerësimi prej 207 milionë eurosh është paraprak dhe mund të ndryshojë në vijim, ndërsa kompanitë shqyrtojnë kërkesat dhe ekspertët përcaktojnë më saktë vlerën e dëmeve.
Paralelisht, qeveria franceze ka publikuar skemën e ndihmës financiare për bizneset me më pak se 50 punonjës, që janë dëmtuar gjatë trazirave të muajve tetor dhe nëntor.
Mbështetja parashikohet të jetë nga 1 000 deri në 10 000 euro për bizneset e vogla më të prekura. Aplikimet do të shqyrtohen nga komisione rajonale, të cilat do të marrin në konsideratë humbjet në aktivitet, natyrën dhe përmasat e dëmeve, si dhe mundësinë e përfitimit nga skema të tjera mbështetëse shtetërore ose vendore.
Autoritetet lokale në zonat më të prekura kanë vënë gjithashtu në dispozicion fonde emergjente. Ndërkohë, banka publike e investimeve Bpifrance ofron kredi pa interes deri në 50 000 euro për tregtarët e dëmtuar, përfshirë edhe për rimbushjen e stokut të mallrave përpara sezonit të Krishtlindjeve.