Kosova nis shembje të reja në Ujman, Serbia kundërshton

20 Nëntor 2026 | 14:38

Autoritetet e Kosovës kanë rrënuar dy shtëpi pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të vendit, dhe kanë paralajmëruar largimin e katër verandave të tjera, në kuadër të një aksioni kundër ndërtimeve pa leje, i cili ka nxitur reagimin e Beogradit.

Aksioni i 20 nëntorit vjen disa muaj pasi Bashkimi Evropian kishte kërkuar pezullimin e rrënimeve në këtë zonë, për shkak të shqetësimeve lidhur me respektimin e procedurave ligjore dhe të drejtave pronësore.

Ministrja e Mjedisit e Kosovës, Fitore Pacolli, njoftoi më 20 nëntor se Inspektorati i ministrisë që ajo drejton kishte nisur rrënimin e gjashtë objekteve pa leje pranë Ujmanit, përkatësisht katër verandave dhe dy shtëpive.

“Pas rrënimit të të gjitha ndërtimeve ilegale dhe pastrimit të zonës përreth Liqenit të Radoniqit, po i kthehemi Ujmanit”, shkroi Pacolli në Facebook.

Ajo paralajmëroi aksione të ngjashme edhe pranë liqeneve të Batllavës dhe Badovcit.

“Asnjë ndërtim i paligjshëm në zonat përreth liqeneve nuk do të tolerohet. Ligji do të zbatohet pa përjashtim”, tha Pacolli.

Policia e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka asistuar Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit në rrënimin e dy shtëpive pranë Ujmanit.

Erduan Baliqi, shef i Planifikimit dhe Vlerësimit Operacional në Policinë e Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, tha se rrënimi i dy shtëpive ka përfunduar, ndërsa pronarët e katër verandave janë pajtuar t’i rrënojnë vetë ato.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti ta konfirmonte këtë me pronarët.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse objektet e përfshira në aksion kanë qenë pjesë e ndonjë procedure gjyqësore dhe nëse pronarëve u janë dorëzuar vendimet për rrënim.Reagimet nga Beogradi dhe Lista Serbe

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e dënoi aksionin, duke e cilësuar si të paligjshëm dhe shkelje të të drejtave pronësore të serbëve.

Sipas saj, dy shtëpitë e rrënuara u përkisnin familjeve Radojkoviq dhe Drobnjak, ndërsa pronarëve të katër objekteve në fshatin Kopiloviq u është kërkuar të rrënojnë vetë pjesë të ndërtimeve të tyre, përfshirë verandat dhe muret mbajtëse.

Kjo zyrë e akuzoi Qeverinë e Kosovës për veprime të drejtuara kundër komunitetit serb dhe paralajmëroi se do të kërkojë reagimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, duke iu referuar thirrjeve të mëhershme të BE-së dhe OSBE-së për respektimin e procedurave ligjore.

Edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e dënoi aksionin, duke pretenduar se rrënimet po vazhdojnë pavarësisht procedurave gjyqësore në zhvillim dhe mungesës së vendimeve përkatëse të autoriteteve kompetente.

Ajo kërkoi pezullimin e rrënimeve deri në përfundimin e procedurave gjyqësore dhe u bëri thirrje BE-së dhe përfaqësuesve të tjerë ndërkombëtarë të ndërhyjnë për mbrojtjen e të drejtave pronësore të serbëve.

BE-ja kishte kërkuar pezullimin e rrënimeve

Rrënimi i disa objekteve pranë Liqenit të Ujmanit nisi në fund të qershorit, ndërsa më 21 korrik autoritetet e Kosovës rrënuan 11 shtëpi që, sipas ndërmarrjes publike Ibër-Lepenc, ishin ndërtuar pa leje në pronën që ajo administron.

Pronarët e disa objekteve i kundërshtuan rrënimet, duke pretenduar se kishin nisur procedura gjyqësore për të dëshmuar të drejtat e tyre pronësore.

Aksionet nxitën reagimin e Bashkimit Evropian, i cili më 22 korrik kërkoi pezullimin e menjëhershëm të rrënimeve, largimeve të detyruara dhe marrjes në posedim të pronave, derisa të adresoheshin shqetësimet lidhur me respektimin e procedurave ligjore.

BE-ja theksoi se disa nga banorët e prekur kishin nisur procedura gjyqësore brenda afateve të përcaktuara në njoftimet e Ibër-Lepencit.

Më 4 gusht, zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, përsëriti kërkesën për ndalimin e rrënimeve të mëtejshme dhe gjetjen e zgjidhjeve ligjore në bashkëpunim me banorët e prekur dhe autoritetet lokale.

Sipas saj, rrënimet duhej të pezulloheshin derisa gjykatat kompetente të merrnin vendime përfundimtare për kontestet pronësore.

BE-ja vazhdoi të shprehte shqetësime për rrënimet edhe gjatë muajve pasues.

Çështja u përfshi edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, i cili vuri në pikëpyetje kompetencat e Policisë për t’u asistuar ndërmarrjeve publike në marrjen në posedim dhe rrënimin e pronave, pa vendime të përshtatshme gjyqësore ose administrative.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Raportuesja Speciale e OKB-së ndjek debatin për Ligjin e Speciales, tregon se si e gjykon Bashkimi Evropian

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e gjyqtarëve dhe avokatëve, Margaret Satterthwaite, ka shkruar në profilin e saj zyrtar në “X” duke thënë...
14:29 | 20/11/2026

Raporti Global i Sigurisë 2026: Kosova ndër pesë vendet më të sigurta në Evropë

Kosova renditet ndër pesë vendet e para në Evropë për sigurinë dhe rendin publik, sipas raportit më të fundit Global Safety Report 2026, të publikuar...
13:41 | 20/11/2026

Lista Studentore paralajmëron rishikimin e marrëveshjeve me Kosovën, BE-ja: Detyrimet e Serbisë nuk ndryshojnë

Lista Studentore në Serbi, e cila fitoi zgjedhjet duke mposhtur Partinë Përparimtare Serbe pas 14 vitesh në pushtet, paralajmëron rishqyrtimin e kushtetutshmërisë së marrëveshjeve të...
13:12 | 20/11/2026