Begaj në konferencën e DECI: Siguria nuk mund të garantohet e vetme, Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimit rajonal

20 Nëntor 2026 | 14:42

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Konferencën e Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI), ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ushtarak dhe politik mes vendeve anëtare, në kushtet e sfidave të reja të sigurisë.

Këtë vit, Shqipëria ishte vendi organizator dhe bashkëdrejtues i nismës, së bashku me Italinë. Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga Italia, Austria, Kroacia, Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Sllovenia, si dhe përfaqësues të Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, misionit të KFOR-it dhe EUFOR-it në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se kërcënimet tradicionale të sigurisë tashmë shoqërohen edhe nga rreziqe të reja, si sulmet kibernetike, ndërhyrjet hibride, dezinformimi dhe cenimi i infrastrukturës kritike.

Sipas Kreut të Shtetit, asnjë vend, pavarësisht madhësisë apo kapaciteteve që disponon, nuk mund ta garantojë i vetëm sigurinë e tij.

“Siguria jonë varet gjithnjë e më tepër nga aftësia për të bashkëpunuar, për të parandaluar kërcënimet dhe, kur është e nevojshme, për t’iu përgjigjur atyre së bashku”, u shpreh Begaj, duke nënvizuar rëndësinë e iniciativës DECI.

Duke iu referuar zhvillimeve ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, Presidenti paralajmëroi se paqja mbetet e brishtë dhe se sovraniteti i shteteve mund të vihet në rrezik.

Ai vlerësoi progresin e arritur gjatë 14 viteve të ekzistencës së kësaj nisme, ndërsa kërkoi zgjerimin e bashkëpunimit në shkëmbimin e teknologjisë dhe ekspertizës, mbrojtjen kibernetike, modernizimin e kapaciteteve ushtarake, sigurinë detare dhe zhvillimin e infrastrukturës strategjike.

Begaj riafirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për forcimin e NATO-s, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e investimeve në mbrojtje. Ai theksoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe siguria rajonale mbeten prioritete të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes së vendit.

Një vëmendje të veçantë në fjalën e tij, Kreu i Shtetit i kushtoi edhe situatës në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se, pavarësisht progresit të arritur, siguria në rajon nuk mund të konsiderohet ende e konsoliduar.

Në këtë kontekst, Begaj nënvizoi nevojën për një bashkëpunim më gjithëpërfshirës rajonal, ku edhe Kosova të ketë vendin dhe kontributin e saj.

“Dhe pse jo, një ditë të jetë anëtare e këtyre iniciativave, por edhe anëtare e Aleancës”, u shpreh Presidenti, duke vlerësuar njëkohësisht rolin e KFOR-it dhe strukturave të tjera ndërkombëtare në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Në përfundim, Begaj theksoi se konferenca DECI duhet të shërbejë si një platformë konkrete për projekte të përbashkëta, rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe marrjen e përgjegjësive të përbashkëta.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Goditje të fortë të krimit të organizuar, policia shqiptare marrëveshje me atë britanike

Policia e Shtetit shqiptar dhe agjencitë ligjzbatuese britanike pritet të intensifikojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Në një takim...
14:04 | 20/11/2026

Banorët u ankuan për zhurmat në lokalin te “Komuna e Parisit”, policia procedon 2 administratorët

Policia ka ushtruar kontrolle në një lokal në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, pas ankesave të disa banorëve për muzikë me volum të...
13:11 | 20/11/2026

Protesta e djeshme në Tiranë, procedohen penalisht 3 persona, vendosen 29 gjoba në 48 orë

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 3 persona për veprime të paligjshme gjatë protestës së djeshme. Gjithashtu, mësohet se gjatë 48 orëve të fundit, janë...
12:53 | 20/11/2026