Republikanët në Kongresin amerikan po përballen me tensione të brendshme dhe pakënaqësi në rritje, pasi një numër deputetësh të Partisë Republikane kanë refuzuar të rikthehen në Uashington pas humbjeve në zgjedhjet afatmesme, duke vështirësuar miratimin e nismave të fundit legjislative përpara se demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në janar.

Situata ka shkaktuar zemërim te disa prej përfaqësuesve republikanë, mes tyre edhe kongresmeni Greg Murphy, i cili humbi mandatin në zgjedhjet e fundit. Gjatë një takimi me dyer të mbyllura të mërkurën, Murphy kritikoi kolegët që nuk paraqiten në punë dhe kërkoi që t'u ndërpritet paga ligjvënësve që mungojnë pa arsye.

“Shikoni, unë humba. Por jam ende këtu. Jam ende këtu”, deklaroi Murphy më vonë për CNN, duke shtuar: “Nëse nuk janë këtu, nuk duhet të paguhen”.

Edhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka shprehur publikisht pakënaqësinë për mungesat, duke bërë të ditur se vetëm të mërkurën ishin regjistruar 14 deputetë që nuk ishin paraqitur.

“Pjesëmarrja është një shqetësim i madh për mua në këtë moment. Dje kishim 14 mungesa, ndaj është e pamundur të ecim përpara me procedurat dhe agjendën tonë legjislative nëse deputetët nuk janë këtu për të bërë punën e tyre. Duam ta përmbyllim këtë periudhë fuqishëm, por kjo nuk është e mundur nëse anëtarët nuk janë të pranishëm në punë”, u shpreh Johnson.

Sipas raportimit të CNN, drejtuesit republikanë kanë qortuar privatisht disa prej deputetëve që nuk janë kthyer në Uashington. Njëri prej tyre i kishte shpjeguar Johnsonit se mungesa lidhej me shqetësimet për një raport të CNN mbi mundësinë e një komploti iranian me një bombë radioaktive në kryeqytetin amerikan.

Ndërkohë, republikanët po përpiqen të shfrytëzojnë javët e fundit të kontrollit të tyre në Kongres për të miratuar disa prej prioriteteve të Presidentit Donald Trump, përpara se demokratët të marrin drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve në janar.

Mes çështjeve kryesore janë financimi shtesë për Pentagonin pas muajsh lufte me Iranin, rritja e tavanit të borxhit publik dhe reforma në proceset e dhënies së lejeve. Megjithatë, mungesat e deputetëve dhe mungesa e konsensusit brenda partisë po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë realizimin e këtyre objektivave.