Ish-ambasadori dhe diplomati Nano Ruzhin ka deklaruar se Maqedonia e Veriut po ndjek linjën e Shteteve të Bashkuara në raport me çështjen palestineze. Në një prononcim për “Lokalno”, ai e lidhi këtë qëndrim me votën e Shkupit kundër rezolutës së OKB-së që rikonfirmonte mbështetjen për UNRWA-n, agjencinë e Kombeve të Bashkuara që ofron ndihmë për refugjatët palestinezë. Në atë rast, Maqedonia e Veriut u rreshtua përkrah SHBA-së dhe Izraelit.
“Sipas meje, kjo vjen si pasojë e ndjekjes së politikës së jashtme amerikane ndaj Izraelit dhe Palestinës. Mendoj se edhe vende të tjera votuan më herët. Nuk e di si qëndron tani Serbia. Ajo po shtynte të njëjtën agjendë, por pas ndryshimeve nuk jam i sigurt nëse ndodhi e njëjta gjë, sepse nuk i di saktësisht cilat janë ato vende”, u shpreh Ruzhin.
Të lidhura
None found
Ai shtoi se ky votim pasqyron më tepër një interes pragmatik të qeverisë aktuale, pavarësisht se Bashkimi Evropian dhe shumë shtete të tjera nuk e miratojnë politikën që Izraeli po zbaton ndaj Gazës dhe Palestinës. “Maqedonia nuk ka ndonjë interes të veçantë, përveç Shteteve të Bashkuara, të cilat besoj se janë gjithashtu ndër vendet që votuan kundër asaj rezolute. Megjithatë, ashtu shkon puna në politikë”, tha ai.
Sipas Ruzhinit, teksa ndodhet jashtë BE-së, qeveria e vendit kërkon të dëshmojë se nuk ndan shumë pozicione me Brukselin, ndonëse për Ukrainën një raport arriti në përfundimin se, në politikën e jashtme, vendi “grosso modo” qëndron solidar me vijën e BE-së.




