Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në Konferencën e Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI), e organizuar këtë vit në Shqipëri, në bashkëdrejtimin e vendit tonë dhe Italisë.
Në takimin e nivelit të lartë morën pjesë përfaqësues të nëntë vendeve anëtare: Italia, Austria, Kroacia, Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Sllovenia dhe Shqipëria.
Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të Komandës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, komandanti i misionit të KFOR-it, komandanti i misionit EUFOR në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj bëri apel për forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe politik mes partnerëve të kësaj iniciative.
Ai theksoi se kërcënimet tradicionale po bashkëjetojnë me rreziqe të reja, si sulmet kibernetike, ndërhyrjet hibride, dezinformimi dhe cenimi i infrastrukturës kritike, duke nënvizuar se siguria nuk mund të garantohet nga asnjë vend i vetëm.
“Kërcënimet tradicionale bashkëjetojnë me rreziqe të reja: sulmet kibernetike, ndërhyrjet hibride, dezinformimin dhe cenimin e infrastrukturës kritike. Në këto kushte, për të gjitha vendet, pavarësisht madhësisë apo kapaciteteve që ato kanë, siguria mbetet prioritet strategjik dhe ajo nuk mund të garantohet e vetme. Siguria jonë varet gjithnjë e më tepër nga aftësia për të bashkëpunuar, për të parandaluar kërcënimet dhe, kur është e nevojshme, për t’iu përgjigjur atyre së bashku. Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e Iniciativës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes (DECI), deklaroi Presidenti i Republikës.
Duke iu referuar sfidave të sigurisë, përfshirë zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme, Begaj nënvizoi se paqja mbetet e brishtë dhe se sovraniteti i shteteve mund të kërcënohet.
“Paqja është e brishtë, se kufijtë dhe sovraniteti i shteteve mund të kërcënohen dhe se siguria nuk është një arritje e pakthyeshme”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti vlerësoi progresin e arritur gjatë 14 viteve të iniciativës, duke theksuar nevojën që bashkëpunimi të zgjerohet më tej, veçanërisht në shkëmbimin e teknologjive dhe ekspertizës, mbrojtjen nga sulmet kibernetike, modernizimin e kapaciteteve ushtarake, sigurinë detare dhe zhvillimin e infrastrukturës strategjike.
Begaj riafirmoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për forcimin e NATO-s, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e investimeve në mbrojtje, duke theksuar se vendi do të vijojë të kontribuojë në sigurinë kolektive të Aleancës.
“Për Shqipërinë, forcimi i NATO-s, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe zgjerimi i sigurisë përmes bashkëpunimit rajonal mbeten prioritet të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes”, deklaroi Begaj.
Kosova dhe siguria në Ballkanin Perëndimor
Duke u ndalur te sfidat e Ballkanit Perëndimor, Presidenti Begaj vlerësoi progresin e bërë, por theksoi se siguria në rajon nuk mund të konsiderohet ende e konsoliduar.
“Besoj se forcimi i arkitekturës rajonale të sigurisë kërkon një bashkëpunim gjithnjë e më gjithëpërfshirës, ku edhe Kosova duhet të ketë vendin dhe kontributin e saj. Dhe pse jo, një ditë të jetë anëtare e këtyre iniciativave, por edhe anëtare e Aleancës”, u shpreh Begaj.
Ai theksoi njëherazi rëndësinë e KFOR-it në Kosovë dhe të strukturave të tjera ndërkombëtare të sigurisë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti Begaj vlerësoi se Konferenca e Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI) duhet të shërbejë si platformë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe ndarjen e përgjegjësive.
“Paqja nuk ruhet vetëm duke thënë se e dëshirojmë atë; paqja ruhet duke investuar, duke investuar në siguri, duke investuar për të forcuar aleancat, duke investuar për të vepruar së bashku”, përfundoi Presidenti i Republikës.