Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka kundërshtuar gjatë diskutimeve në Komisionin për Çështjet Ligjore aktin normativ për tubimet, e cila është pjesë e paketës anti-dhunë të qeverisë. Ai e cilësoi nismën antikushtetuese, duke pretenduar se përmes gjobave dhe masave ndëshkuese synohet të frenohet e drejta e qytetarëve për të protestuar. Bylykbashi ngriti shqetësime edhe për arrestimet dhe mënyrën se si trajtohen protestuesit nga policia, ndërsa paralajmëroi se çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Jemi përpara akteve që qartazi janë antikushtetuese. Rama nuk i përballon dot këto protesta, kemi pasqyrën e gjendjes së brendshme të kryeministrit në këto akte. Si i duron dot ai protestuesit kundër tij? Ju i arrestoni, i mbani përtej afatit ligjor, i vendosni edhe gjobë. Pasojë e aktit tuaj normativ, një vajzë e re ankohej dhe thoshte se protestoj sepse prindërit e mi kanë pensione skandaloze dhe më kanë vënë gjobë 5-milionëshe dhe nuk e paguaj dot. Çfarë bëni ju? I arrestoni, i rrihni si në kohën e komunizmit, edhe në furgona, edhe u thoni policëve: Thyeni brinjët, se do të merrni edhe 2.500 euro. Dhe përballë kësaj, urgjenca e Ramës për të mbrojtur veten e vet. Debati do të bëhet në Gjykatën Kushtetuese, se këtu nuk bëhet dot, pas asaj që pamë te Gjiri i Lalzit”, deklaroi Bylykbashi.
Nga ana tjetër, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, mbrojti aktin normativ, duke thënë se qëllimi i tij është parandalimi i akteve të dhunshme gjatë protestave dhe jo kufizimi i tubimeve paqësore. Sipas tij, gjatë tubimeve të fundit janë regjistruar incidente të rënda, përfshirë sulme ndaj efektivëve të policisë dhe dëmtime të bankomateve, të cilat kanë vështirësuar edhe funksionimin e shërbimeve bankare.
“Ka pasur protesta dhe do të ketë, por është fakt që Shqipëria u gjend në valën e një dhune që nuk ka lidhje fare me protestuesit që duan të protestojnë paqësisht në këtë vend. Dhunë e organizuar nga grupe personash me maska, dhunë deri në përdorimin e mjeteve të rrezikshme ndaj jetës së policëve. Institucionet duhet të hetojnë edhe disproporcionalitetin e dhunës, nëse ka pasur, por ky vend ka institucione drejtësie. Kjo valë dhune nuk kurseu as policinë, as shtetin, u vu në vështirësi sistemi bankar, u thyen bankomate dhe njerëzit as nuk tërhiqnin dot lekë për nevojat e ditës”, u shpreh Manja
