Ilir Abdullahu “Liza” dhe Rrahim Abdullahu “Rrumqi” dënohen me nga 18 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës
Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë të premte, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ilir Abdullahut, i njohur me nofkën “Liza”, dhe Rrahim Abdullahut, i njohur si “Rrumqi”, duke i dënuar me nga 18 vjet burgim për vrasjen e rëndë në bashkëkryerje të zyrtarit policor Triumf Riza, në vitin 2007.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Syla, gjatë shpalljes së aktgjykimit ka paraqitur arsyetimin e vendimit.
Në seancën e shpalljes së aktgjykimit ishte i pranishëm i akuzuari Ilir Abdullahu, së bashku me mbrojtësin e tij, avokatin Ramë Dreshaj. E pranishme ishte edhe mbrojtësja e Rrahim Abdullahut, avokatja Agnesa Salihu. Ndërkaq, munguan vetë i akuzuari Rrahim Abdullahu dhe prokurorja e rastit, Arbreshë Shala.
Gjykata ka vendosur që kohës së dënimit të Ilir Abdullahut t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ndërkaq, ndaj Rrahim Abdullahut ka caktuar vazhdimin e masës së paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në afatin ligjor.
Trupi gjykues përbëhet nga kryetari Avni Syla dhe anëtarët Violeta Namani e Lutfi Shala. Prokurorinë e përfaqëson prokurorja Arbreshë Shala, ndërsa Ilir Abdullahun e mbron avokati Ramë Dreshaj dhe Rrahim Abdullahun avokatja Agnesa Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fjalën përfundimtare, prokurorja Arbreshë Shala kishte kërkuar që të dy të akuzuarit të shpalleshin fajtorë për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe të dënoheshin sipas ligjit.
Ajo kishte deklaruar se, megjithëse kishin kaluar 17 vjet nga vrasja e Triumf Rizës, pjesa dërrmuese e dëshmitarëve kishin mbetur pranë dëshmive të tyre, duke veçuar dëshminë e dëshmitarit D2 dhe provat materiale të siguruara në rrugë ligjore.
Sipas prokurores, përgjegjësia penale e Ilir dhe Rrahim Abdullahut lidhej me përcjelljen e viktimës, vëzhgimin e lëvizjeve të tij dhe komunikimet përmes mesazheve telefonike për vendndodhjen e tij.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Ilir Abdullahut, avokati Ramë Dreshaj, kishte kontestuar bazën e aktakuzës, duke ngritur pretendime për konflikt interesi gjatë fazës së hetimeve.
Dreshaj kishte pretenduar se hetimet për vrasjen e një zyrtari policor u ishin besuar kolegëve të tij policorë, të cilët, sipas mbrojtjes, nuk kishin vepruar në mënyrë të paanshme. Ai kishte kontestuar edhe provat materiale, duke pretenduar se Prokuroria nuk kishte paraqitur listën origjinale të hyrje-daljeve telefonike të Telekomit të vitit 2007, por vetëm mesazhe të përzgjedhura.
Avokati kishte theksuar se Ilir Abdullahu në atë periudhë jetonte jashtë Kosovës, nuk e kishte njohur viktimën dhe nuk kishte ndërmarrë veprime konkrete inkriminuese. Për këtë arsye, kishte kërkuar lirimin e tij nga akuza, duke u bazuar në parimin in dubio pro reo.
Edhe mbrojtësja e Rrahim Abdullahut, avokatja Agnesa Salihu, kishte kërkuar shpalljen e pafajshëm të klientit të saj, duke argumentuar se Prokuroria nuk kishte arritur të provonte ndonjë marrëveshje, përcjellje apo ndihmë konkrete të tij në kryerjen e vrasjes.
Salihu kishte vënë në pikëpyetje edhe kohën e dërgimit të një mesazhi telefonik që i atribuohej Rrahim Abdullahut, duke theksuar mospërputhjen ndërmjet orës së shënuar në aktakuzë dhe asaj në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Të dy të akuzuarit kishin deklaruar se ishin të pafajshëm. Ilir Abdullahu kishte pretenduar se provat ishin të manipuluara, ndërsa Rrahim Abdullahu kishte kërkuar nga gjykata që të nxirrte një vendim përfundimtar për rastin, duke theksuar se kjo ishte hera e tretë brenda 19 vjetësh që përballej me këtë proces gjyqësor.
Ndryshe, mbrojtja kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Avni Syla, me arsyetimin se gjyqtari e kishte axhë pronarin e lokalit ku ndodhi shpërthimi. Më 1 tetor 2025, Gjykata Themelore e refuzoi këtë propozim të mbrojtjes, ndërsa mbrojtja ishte ankuar në Gjykatën e Apelit.
Për vrasjen e Triumf Rizës po gjykohej edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitjen e vrasjes së policit. Sekiraqa ishte dënuar me 25 vjet burgim më 3 maj 2024. Ai gjendet në arrati.
Kjo lëndë fillimisht ishte gjykuar nga gjyqtari Valon Kurtaj, por pas avancimit të tij, i ishte kaluar për gjykim gjyqtarit Avni Syla.
Në seancën e 21 shkurtit 2025, kryetari i atëhershëm i trupit gjykues, Valon Kurtaj, kishte njoftuar se ishte bërë bashkimi i procedurës ndaj Rrahim Abdullahut me atë ndaj Ilir Abdullahut, me arsyetimin e ekonomizimit të procedurës. Në atë seancë, Rrahim Abdullahu ishte deklaruar i pafajshëm.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 2 shtator 2024, kishte ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special, kundër Ilir Abdullahut, i njohur me nofkën “Liza”.
Abdullahu akuzohet se, në bashkëkryerje me tashmë të dënuarit Arben Berisha dhe Fitim Avdiu, si dhe me të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa dhe të shtyrë nga motivi i hakmarrjes, kishin vepruar me qëllim që ta privonin nga jeta Triumf Rizën.
Sipas aktakuzës, motivi lidhej me një incident të 24 dhjetorit 2005 në lokalin “Sëiss Casino” në Prishtinë, ku Triumf Riza e kishte rrahur Sekiraqën, i cili më pas ishte shtruar në spital. Aktakuza përmend gjithashtu mosmarrëveshjet që lidheshin me njohjen e Sekiraqës me Adelina Ismailin dhe pretendimin se Riza nuk kishte lejuar që t’i paguhej reketi si më parë.
Më tej, sipas aktakuzës, lidhur me arrestimin dhe rrahjen e Sekiraqës në Ferizaj, më 22 maj 2006, nga pjesëtarët e SHPK-së, ai kishte fajësuar Rizën, duke pretenduar se veprimet ishin bërë me nxitjen e tij. Për këtë arsye, sipas Prokurorisë, të akuzuarit ishin marrë vesh që ta privonin Rizën nga jeta.
Në aktakuzë thuhet se për një periudhë të caktuar, ata i kishin përcjellë lëvizjet e Rizës me vetura. Më 30 gusht 2007, derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu ndodheshin në lokalin “Sekiraqa”, Fitim Avdiu, tashmë i dënuar, i kishte dërguar mesazh Ilir Abdullahut me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen”, duke aluduar në Rizën, banesa e të cilit ndodhej përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ai ishte në hotelin “Grand”.
Sipas aktakuzës, pasi kishin marrë këtë njoftim, Arben Berisha dhe të pandehurit Ilir e Rrahim Abdullahu kishin shkuar me veturë te lokali “Quins”. Berisha, i armatosur me pistoletë, kishte hyrë në një lokal, ndërsa Ilir dhe Rrahim Abdullahu kishin hyrë në një lokal tjetër për të pritur Rizën, i cili, sipas aktakuzës, ishte mysafir i shpeshtë i atij lokali.
Më pas, thuhet se Rrahim Abdullahu i kishte dërguar mesazh Berishës, i cili ndodhej në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri”, pasi Riza ishte parë te lokali AMPM.
Në aktakuzë thuhet se, kur Riza kishte dalë nga lokali dhe ndodhej pranë automjetit të tij, Berisha kishte vrapuar drejt tij dhe, në mënyrë të papritur, nga një distancë prej pesë metrash, kishte shtënë 11 herë me pistoletë, në tri rafale të shkurtra. Dy plumba e kishin goditur Rizën në shpinë dhe, sipas aktakuzës, kishin depërtuar në aortë, zemër dhe mushkëri, duke i shkaktuar vdekjen. Një plumb tjetër e kishte goditur në kofshën e këmbës së djathtë.
Me këto veprime, Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu dhe të pandehurit Enver Sekiraqa e Rrahim Abdullahu, akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.
Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë ishte kërkuar si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës./BetimipërDrejtësi/




























