Mediat turke: Ernest Muçi kërkohet nga skuadra e madhe europiane ku shkëlqeu Salah
Ernest Muçi është kthyer në qendër të vëmendjes së merkatos europiane. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, falë paraqitjeve pozitive me Trabzonsporin, është lidhur me një transferim të mundshëm te Roma.
Sipas raportimeve të mediave turke, klubi italian ka marrë informacion për situatën e 25-vjeçarit, ndërsa në këtë histori përmendet edhe një emër i madh i futbollit botëror: Mohamed Salah.
Ish-futbollisti i Romës thuhet se ia ka rekomanduar Muçin grupit Friedkin, pronarëve të klubit kryeqytetas.
Një tjetër detaj që e bën këtë pistë interesante është çmimi i kartonit. Sipas raportimeve, Trabzonspor kërkon të paktën 22 milionë euro për të lejuar largimin e sulmuesit shqiptar.
Muçi po kalon një sezon pozitiv në Turqi, ku në 10 ndeshje kampionati ka regjistruar 3 gola dhe 6 asistime.
Megjithatë, pretendimi për interesimin e Romës është kundërshtuar nga raportime të tjera në mediat shqiptare. Për momentin nuk ka ofertë zyrtare apo konfirmim nga klubi italian.
Një transferim në Serie A do të ishte një tjetër hap i rëndësishëm në karrierën e talentit kuqezi.




