Avokati Plarent Ndreca ka ngritur shqetësime për gjendjen shëndetësore të klientit të tij, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duke deklaruar se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po pengon diagnostikimin dhe trajtimin e tij nga mjekët e zgjedhur prej mbrojtjes. Sipas avokatit, prej dy javësh nuk është kryer asnjë trajtim mjekësor, ndërsa kjo vonesë ka sjellë përkeqësim të problemeve në këmbën e kryebashkiakut.
”Drejtoria e burgjeve refuzon të krijojë mundësinë që të diagnostikohet tek mjeku që ne kemi zgjedhur. Ligji na e jep të drejtën të zgjedhim mjekun dhe qendrën spitalore, por drejtoria refuzon. Ne sot i jemi drejtuar gjykatës së posaçme sepse drejtoria e përgjithshme ka dështuar në këtë aspekt. Kemi bërë kërkesë urgjente të ndërhyhet në këtë situatë.
Është shqetësuese që nuk reagohet për një gjë kaq elementare. Në Parlament mbaj mend që janë trajtuar çështje të kësaj natyre, ndërsa për Veliajn ka një stepje ndoshta sepse çdo reagim ndaj tij shihet si pozicionim politik.
Zonja Spiropali e përmendi, sot dëgjova zotin Braçe por nuk ka një reagim publik të qartë për të bërë që institucionet të funksionojnë. Për operacionit, dy javë kanë humbur kot pa kryer asnjë mjekim duke shkaktuar probleme të rënda te këmba e zotit Veliajt. Sot na është refuzuar takimi që kishim lënë dhe kërkojnë që të mjekohet në spital dhe doktorë që nuk i njohim”, tha ai në ”News 24”.
