Real Madridi ka siguruar vazhdimësinë e një prej figurave më të rëndësishme të skuadrës. Thibaut Courtois do të vazhdojë të jetë gardiani i portës madrilene edhe për të paktën një sezon tjetër, pasi ka rinovuar kontratën me klubin spanjoll deri në qershor të vitit 2028.
Marrëveshja e mëparshme e portierit belg përfundonte në qershor të vitit 2027, por drejtuesit e “Los Blancos” kanë vendosur të zgjasin bashkëpunimin me të edhe për 12 muaj të tjerë.
Që prej transferimit nga Chelsea në verën e vitit 2018, Courtois është shndërruar në një pikë referimi për Real Madridin. Ai mori vendin e Keylor Navas dhe me kalimin e viteve konfirmoi statusin e një prej portierëve më të rëndësishëm në historinë e klubit.
Kontributi i belgut është pasqyruar edhe në sukseset e shumta të madrilenëve. Në karrierën e tij me fanellën e Realit, Courtois ka fituar dy trofe të Champions League, tre tituj të La Ligës, një Kupë të Mbretit, dy Superkupa të Evropës dhe tre Kupa të Botës për Klube.
