PS miraton masat për protestat, PD kundërshton: Cënohen të drejtat e qytetarëve
Mazhoranca socialiste miratoi me votat e saj dy aktet normative që ashpërsojnë masat ndaj protestave, ndërkohë që opozita votoi kundër. Demokratët sollën në vëmendje se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që mbron lirinë e protestave duke hequr edhe detyrimin që të merret leje nga policia, duke argumentaur se këto ndryshime janë antikushtetuese.
“Ju po i jepni kompetenca policisë që të kufizojë të drejtën kushtetuese pa një proces; dhe këtë ta bëjnë duke filluar nga intimidimi, duke cënuar të drejtën për tu shprehur, pa folur për të drejtën për tu mbledhur bashkë. Po vini kufizime territoriale që të bëni praktikisht të pamundur që të protestohet.” , tha Oerd Bylykbashi, nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, PD.
Por kryetari socialisti I Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja theksoi se e drejta e qytetarëve për të protestuar nuk preket, por sipas tij ndërhyrja në ligjin “Për Tubimet” ishte e nevojshëm pasi ligji është I vitit 2001 e nuk ka asnjë parashikim për rastet kur protestat bëhen të dhunshme.
“Urgjenca ishte garantimi I sigurisë publike, dhe interest public përballë kësaj vale dhune që nuk kurseu shtetin, qytetarin, pronën publike e private.”
Gjatë mbledhjes mazhoranca dhe opozita u përplasën për protestat e studentëve që nisën në 13 tetor, të cilat të dy palët i shohin nga këndvështrime krejt të kundërta; demokratët akuzuan forcat e policisë për dhunë ndaj të rinjve ndërsa socialistët akuzuan protestuesit për dhunë ndaj forcave të policisë.
“Sa veta kanë brinjë e këmbë të thyera! A e mbani mend atë që varej këmba pasi ia thyet ju, policia e shtetit! Po ajo vajza që iu thye kafka e kokës nga goditja me atë bombulën e gazit! Dhe background I kësaj është; urgjenca që ka Edi Rama të mbrojë veten e vet dhe të nxjerrë akte e të kufizojë të drejtën e tubimit.” , Bylykbashi.
“Numri I policëve të plagosur, me thyerje kafkash, deri edhe me rrezik serioz për jetën ka kaluar mbi 200 punonjës policie. Policia e shtetit meriton vetëm respektin e qytetarëve shqiptarë.” , u shpreh Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Dy aktet normative, ai “Për tubimet” dhe akti normativ “Për dëmshpërblimin e Dëmeve të Shkaktuara gjatë Protestave” kërkojnë 71 vota për tu miratuar në Kuvend dhe socialistët i kanë votat për t’i miratuar. Por fjalën e fundit për këto dy ligje do ta thotë Gjykata Kushtetuese pasi edhe opozita edhe një grup nga shoqëria civile kanë kërkuar shfuqizimin e tyre.




