Asociacioni i Komunave i reagon Kurtit: Qytetari i Republikës, kur shkon në shtëpi, në cilën komunë mbërrin?
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti lidhur me deklaratat e tij për komunat dhe nivelin e qeverisjes lokale, duke e kritikuar për përçmim të vazhdueshëm ndaj komunave dhe kryetarëve të tyre.
Në një reagim të publikuar në Facebook, AKK-ja ka ironizuar deklaratat e Kurtit, duke e pyetur se në cilën komunë mbërrin qytetari i Republikës së Kosovës kur kthehet në shtëpi.
“Kryeministër Kurti, po na thoni se në Kosovë jetohet ma mirë si qytetar i Republikës sesa si banor i komunës. Veç na e sqaroni një hollësi: kur qytetari i Republikës niset për në shtëpi, në cilën komunë mbërrin?”, thuhet në reagim.
Asociacioni ka përmendur edhe disa përplasje të mëhershme me Qeverinë Kurti, duke rikujtuar etiketimin e komunave si “politikë antishtetërore” në vitin 2022, për shkak të mosdorëzimit të listave të pagave gjatë grevës, si dhe cilësimin e tyre si “dembele” në shtator të vitit 2025.
Po ashtu, AKK-ja ka rikujtuar paralajmërimin e kryeministrit në nëntor të vitit të kaluar se buxheti nuk do t'u jepej kryetarëve që, sipas tij, “nuk dinë të punojnë mirë” ose “vjedhin”.
Në reagim është kritikuar edhe deklarata e Kurtit për preferencën e tij që arsimi të ishte më i centralizuar, ndërsa është theksuar se Granti i Katërt për investime kapitale, përmes të cilit ishte premtuar më shumë autonomi për komunat, ende nuk është bërë realitet.
AKK-ja ka shprehur pakënaqësi edhe për mungesën e komunikimit institucional, duke thënë se kanë kaluar më shumë se dy vjet nga takimi i fundit i Kurtit me kryetarët e komunave, pavarësisht kërkesave të Asociacionit për takim.
Në fund, Asociacioni i ka kërkuar kryeministrit që të caktojë një takim me kryetarët e komunave, t'i dëgjojë shqetësimet e tyre dhe t'i përmbushë zotimet për financimin dhe autonominë lokale.
“Për adresën e takimit mos u shqetësoni. Kudo që ta caktoni në Republikën e Kosovës, ka me qenë në një komunë”, përfundon reagimi.















