Komisioni për Ekonominë ka miratuar disa ndryshime në paketën fiskale 2027, duke zgjeruar listën e produkteve që do të përfitojnë nga TVSH-ja e reduktuar. Në listë janë shtuar uji, produktet e higjienës personale menstruale dhe produktet e higjienës për fëmijët.
Gjatë diskutimeve në komision nuk kanë munguar debatet mes deputetëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, veçanërisht për përfshirjen e ujit në këtë kategori. Deputeti socialist Erion Braçe kërkoi që trajtimi me TVSH të reduktuar të përfshijë edhe ujin e ambalazhuar, ndërsa ngriti shqetësimin për mungesën e lehtësive fiskale për produktet higjienike të grave dhe fëmijëve.
Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, bëri të ditur se qëndrimi i Këshillit të Ministrave nuk ishte dakord me propozimin e deputetit Kadeli, duke argumentuar se ndryshimet duhet të jenë në përputhje me direktivat përkatëse.
Pas miratimit në komision, ndryshimet do t’i kalojnë Kuvendit, ku do të votohen përfundimisht.
Debati u përqendrua te propozimi i deputetit socialist Erion Braçe, i cili kërkoi që uji i ambalazhuar të trajtohet si produkt bazë, duke argumentuar se është një domosdoshmëri për konsumatorët. Ai kërkoi gjithashtu që në listën e produkteve me TVSH të reduktuar të përfshihen edhe produktet e higjienës menstruale dhe pelenat për fëmijët.
Zëvendësministri Yzeiraj u shpreh kundër propozimit për ujin, ndërsa deputetët e tjerë diskutuan mbi kriteret e përcaktimit të produkteve që do të përfitojnë nga lehtësimi fiskal.
Deklaratat e plota në Komisionin e Ekonomisë:
Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Financave: “Qëndrimi i Këshillit të Ministrave nuk është dakord me propozimin e z. Kadeli. Legjislacioni aktual nuk është në drejtim me direktivën. Në lidhje me produktet e shportës, kemi sjellë një listë me 54 produkte. Në lidhje me ujin, duhet parë synimi politik i qeverisë. Ne po përpiqemi që, me investimet në rrjet, ta përfshijmë atje. Sovrani jeni ju, ju e vendosni në fund.”
Erion Braçe, deputet i PS: “Mbushni një gotë ujë në rubinet dhe ta sillni për mua. Ju me plot të drejtë thoni se nuk është në përputhje me direktivën TVSH-ja për projektimin në sport. Çfarë thotë direktiva për ndërtimin? Çdo familje pi këtë ujë, jo atë tjetrin. Ndërtimin e këtyre veprave e kemi çliruar nga TVSH-ja dhe kjo të trajtohet njësoj. Për respekt, pas asaj që the, mos e pi. Jemi në këtë vend për të nxitur investimet private në sport, normalisht bën sens propozimi që bën Kadeli. Nëse ne kemi ndërmarrë një nismë për të ulur koston e jetesës sa u takon ushqimeve, ne nuk po propozojmë birrën, rakinë, por ujin që është i domosdoshëm. Është e detyrueshme për një individ 2 litra në ditë. Dhe duke ndjekur këtë logjikë thamë që uji i fabrikuar të trajtohet me 6%. Me këtë ujin e çezmës as gatuan njeri, as e pi, përveç atyre të varfërve që s’kanë asgjë. E fundit, me aditivët ushqimorë. Në rast se kam dëgjuar si aditiv vaj palme, qumështi pluhur, kjo listë e humb funksionin. Po kërkoj shprehimisht t’ju bëni me dije edhe listën e produkteve që keni miratuar me VKM. Çfarë kuptimi ka që ne të trajtojmë ushqimet për fëmijët e porsalindur dhe s’bëjmë gjënë më elementare, pelenat? Kam 4 vite që kërkoj paketën higjienosanitare për vajzat. Për 28 milionë lekë për 4 vjet që thoni jo, ndërkohë që jeni vetë vajza e gra që janë studente, shkojnë në shkollë dhe, përveç shpenzimeve të tjera, kanë edhe këto.”
Edmond Haxhinasto, deputet i Partisë së Lirisë: “Mbi çfarë kriteresh do të bëhet lista? Sa mundësi kemi ne që të vendosim kritere? A e kemi mundësinë ne që të ndryshojmë?”
Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit: “Në ligj ia kemi lënë Këshillit të Ministrave.”
Briseida Cakërri, deputete e PS: “Uji është një shpenzim i vogël, por ndihet në të ardhurat e pakta. Produktet për gratë, jeni konciz, z. Braçe.”
Eno Bozdo, deputet i PD: “Për çështjen e ujit, ky ujë kushton shumë për disa. E vërteta është që të flasësh për ushqimet dhe jo për ujin nuk ka sens.”
Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit: “Edhe Kombet e Bashkuara dhe BE-ja bëjnë një diferencim për ujin. Pamë edhe TVSH-në e ujit për vendet e Ballkanit Perëndimor, është e ndryshme në vende të ndryshme: Maqedonia e Veriut 5%, Kosova 8%, Serbia 10% etj. U konsultuam me shumë dokumente.
Propozimi i z. Kadeli, një pjesë ne e kemi të miratuar. Shpenzimet për projektim me subjektet me karakter sportiv zënë 5-15%. Për efektin e ujit shohim që është shumë i ulët.”
Me miratimin e ndryshimeve në komision, projektligji vijon procedurën parlamentare dhe pritet të shqyrtohet në seancë plenare për votimin përfundimtar.