Çalik blen koncesionin e parkut energjetik diellor në Akërni
Grupi turk i biznesit Çalik ka arritur një marrëveshje për blerjen e kompanisë Akërni Solar, përfituese e projektit koncesionar për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Akërni të Vlorës.
Blerja do të kryhet nëpërmjet kompanisë Calik Renewables B.V., shoqëri e regjistruar në Hollandë, me objekt kryesor të veprimtarisë së saj prodhimin dhe gjenerimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme.
Calik Renewables B.V. është pjesë e grupit ndërkombëtar Çalik Holding A.Åž., i cili në Shqipëri zotëron shoqëritë Banka Kombëtare Tregtare, BKT Pay sha dhe Çalik Albania Wind.
Aktualisht, Akërni Solar zotërohet nga një tjetër shoqëri e regjistruar në Hollandë, Arka Energy B.V, që më tej kontrollohet nga Midami Limited, shoqëri e regjistruar në Hong Kong.
Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, pronarët e fundit të regjistruar përfitues të Akërni Solar janë shtetasit indianë Hari Prasad Kanoria dhe Prabhat Jain, si edhe shtetasi shqiptar, Mirsad Uruçi.
Transaksioni është paraqitur për autorizim në Autoritetin e Konkurrencës.
Qeveria shqiptare hapi garën për ndërtimin e impiantit të parë të madh diellor në Akërni, në vitin 2018, me një kapacitet të parashikuar prej 100 MË. Gara u fitua nga konsorciumi i udhëhequr nga India Power Corporation, së bashku me partnerët Midami dhe Mining Resources, me një vlerë investimi të parashikuar rreth 70 milionë euro.
Megjithatë, zbatimi i projektit nuk nisi asnjëherë. Në vitin 2020, kompania kompania aksionare e Akërni Solar, Arka Energy, paditi qeverinë shqiptare në Arbitrazh (Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, ICSID ).
Dy vjet më vonë, çështja u ndërpre, sepsa pala paditëse nuk realizoi pagesat e nevojshme.
Në vitin 2025, shoqëria koncesionare dhe qeveria shqiptare kanë amenduar marreveshjen e mëparshme. Koncesionari ka plotësuar kushtet paraprake, duke lidhur marrëveshjen për blerjen e energjisë elektrike me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, garantimin e kontratës me një shoqëri sigurimi, marrëveshjen e pikës së lidhjes me Operatorin e Sistemit të Transmetimit, si edhe ka plotësuar dokumentacionin teknik, për përmirësimin e dizajnit të projektit.
Pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me qeverinë shqiptare dhe hapjes së rrugës për nisjen e punimeve për ndërtimin e parkut fotovoltaik, aksionarët e mëparshëm kanë vendosur ta shesin aktivitetin te grupi turk Çalik, një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri.
Përveç investimeve në sektorin financiar dhe energjetik, grupi turk ka hyrë edhe në tregun e pasurive të paluajtshme, kryesisht në funksion të zhvillimit të disa pronave të trashëguara nga kompania Albtelecom, e shitur në vitin 2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









