Friday / November 20 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Uncategorized Articles

Incidentet e para të sigurisë së të dhënave vënë në provë ambiciet e Meta për agjentin Muse

Share Share Icon

Muse, agjenti i inteligjencës artificiale (IA) i Meta-s, që ka si maskotë një personazh leshtor e të buzëqeshur me emrin Jolly, ka hyrë në mesazhe personale të enkriptuara, ka dhënë informacione të rreme për blerjet dhe u ka dërguar përdoruesve mesazhe që dukej se u drejtoheshin njerëzve të tjerë.

Kështu e ka nisur rrugën një asistent i krijuar për t’ua lehtësuar jetën konsumatorëve, sipas postimeve të brendshme të kompanisë që ka shqyrtuar Reuters.

Muse është një nga aplikacionet me rritjen më të shpejtë të regjistruar deri më sot, me mbi 10 milionë shkarkime që nga lançimi në shtator. Ai zë vendin qendror në planin e Meta-s për të siguruar miliarda dollarë të ardhura nga IA-ja. Sipas postimeve, veprimet e pakërkuara të agjentit kanë shqetësuar punonjësit, të cilët kanë ngritur dyshime se Muse mund të ngatërrojë bisedat e llogarive të ndryshme dhe të ekspozojë të dhënat private të përdoruesve.

Në disa prej këtyre rasteve, punonjësit e Meta-s raportuan se agjenti u kishte dërguar mesazhe për një kërkesë lidhur me kujdesin për një fëmijë që ata s’e kishin bërë, këshilla për karrierën që s’i kishin kërkuar, porosi produktesh që s’i kishin bërë dhe gjendje llogarish bankare që s’u përkisnin.

Në një postim në fillim të këtij muaji, një punonjës u tregoi kolegëve se Muse i kishte shtuar papritur një mesazh bisedave të zakonshme për motin dhe baticat e zbaticat, që i duheshin për peshkim. “Meqë ra fjala, dy njoftime nga bankat. Gjendja e llogarisë suaj në Capital One është 2.722,58 dollarë, ndërsa në Charles Schwab është 5.899,57 dollarë.”

Në një rast tjetër, një punonjëse që përdorte Muse në telefonin personal tha se agjenti e kishte befasuar duke i kujtuar t’i përgjigjej një mesazhi nga motra në Signal. Signal është një shërbim mesazhesh me enkriptim nga skaji në skaj, i parapëlqyer nga mbrojtësit e privatësisë, që konkurron me WhatsApp-in e Meta-s.

“Më duket një shkelje shumë e rëndë e privatësisë. Jam e sigurt se s’i kam dhënë leje të hyjë në aplikacione të tjera dhe s’mbaj mend të më jetë kërkuar një leje e tillë”, shkroi punonjësja në postimin e saj.

Një koleg iu përgjigj se kishte zbuluar që Muse ishte konfiguruar që në fillim me leje për të lexuar njoftimet automatike në telefonat me sistemin operativ Android të Google. Edhe ai ishte befasuar nga mesazhe të pakërkuara për aplikacione që s’i kishte lidhur me agjentin.

Për këtë artikull, Reuters shqyrtoi më shumë se 24 postime të brendshme që përshkruanin veprime të padëshiruara të Muse që nga lançimi i tij. Shumë prej tyre vinin nga një grup ku punonjësit ia raportojnë problemet ekipit që zhvillon agjentin. Reuters punoi gjithashtu me punonjës të Signal dhe të AI Now Institute, një organizatë jofitimprurëse që studion ndikimin e IA-së në shoqëri, për të riprodhuar mënyrën si Muse kishte hyrë në mesazhet e Signal. Rezultatet e provave sugjeronin se problemi i përshkruar nga punonjësit e Meta-s vazhdonte dhe mund të prekte edhe përdorues të tjerë.

Në përgjigje të pyetjeve për aksesin në Signal dhe shqetësimet e tjera të sigurisë rreth Muse, zëdhënësi i Meta-s, Daniel Roberts, i cilësoi rastet e paraqitura nga Reuters si “incidente të izoluara”. Ai tha se kompania i jep përparësi sigurisë, kryen testime të gjera të brendshme dhe i përditëson vazhdimisht produktet për të përmirësuar masat mbrojtëse.

Sipas Roberts, që të veprojë në emër të përdoruesve, Muse duhet të mund të shohë çfarë shfaqet në kompjuterët e tyre dhe të ndërveprojë me ta. Në aplikacione të tjera, tha ai, agjenti mund të hyjë vetëm me leje të dhëna shprehimisht nga përdoruesit. Roberts tha se shumë nga mesazhet që punonjësit i kishin raportuar si ngatërrime të mundshme mes llogarive ishin halucinacione, term që përshkruan prirjen e modeleve të IA-së për të sajuar informacione. Sipas tij, këto raste ishin trajtuar tashmë.

Reuters nuk arriti të përcaktonte nëse Muse po u jepte përdoruesve gjendjen e llogarive bankare dhe të dhëna të tjera sensitive të njerëzve të tjerë apo po i sajonte ato.

Akses i gjerë në pajisje

Incidentet me Muse nxjerrin në pah rreziqet e një kategorie të re agjentësh të IA-së për konsumatorët, të cilët Meta, OpenAI dhe kompani të tjera po hedhin në treg si zhvillimin e ardhshëm të madh në këtë teknologji. Këta asistentë premtojnë të ndryshojnë mënyrën si kryhen veprimet në internet, duke u kursyer kohë përdoruesve me detyra si përgjigjja ndaj mesazheve elektronike, rezervimi i takimeve dhe blerjet në internet pa pasur nevojë për udhëzime të drejtpërdrejta.

Meta ka deri tani epërsi ndaj konkurrentëve. Muse kryeson vazhdimisht renditjet e shkarkimeve të aplikacioneve, pas promovimit intensiv në Facebook, Instagram dhe WhatsApp, platformat ku kompania ka më shumë se 3,6 miliardë përdorues. Edhe shkalla e mbajtjes së përdoruesve është e lartë. Rreth një e katërta e atyre që kanë hapur një llogari në Muse rikthehen për ta përdorur çdo ditë, sipas të dhënave të publikuara nga kompania.

Që të funksionojnë me efektivitet, agjentëve u duhet akses i gjerë në telefona inteligjentë dhe kompjuterë. Megjithatë, ata kanë prirje të gabojnë, të shfrytëzojnë boshllëqe të vështira për t’u vënë re dhe, herë pas here, t’i përmbushin objektivat në mënyra që shkaktojnë dëme. OpenAI dhe Anthropic, për shembull, kanë bërë publike raste kur agjentët e tyre të IA-së kanë depërtuar papritur në sistemet e kompanive të tjera dhe kanë dobësuar sistemet e krijuara për të mbikëqyrur veprimtarinë e tyre.

Disa banka dhe kompani të shitjes me pakicë u janë përgjigjur këtyre rreziqeve duke bllokuar agjentët. Teknologjia po u krijon sfida të reja edhe ofruesve të sistemeve operative si Apple dhe Google, të cilët administrojnë lejet që u mundësojnë agjentëve të veprojnë në pajisjet e përdoruesve. Apple, për shembull, e ndryshoi sistemin e saj operativ këtë javë për t’u dhënë përdoruesve më shumë kontroll mbi të dhënat që përdorin agjentët, pasi një gazetar i revistës Inc. akuzoi Muse se kishte lexuar biseda private nga aplikacioni Messages në kompjuterin e tij Mac.

Meta i ka siguruar përdoruesit e Muse se e izolon secilin agjent në një “makinë virtuale” të sigurt, një sistem në cloud që imiton funksionimin e një kompjuteri personal. Sipas kompanisë, përdoruesit kanë kontroll të plotë mbi aplikacionet që zgjedhin të lidhin me agjentin. Drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, u është referuar këtyre masave mbrojtëse kur ka hedhur poshtë thirrjet për standarde sigurie për IA-në në të gjithë sektorin. Sipas tij, kompanitë kanë tashmë arsye për të ndërtuar produkte të sigurta, si për të fituar besimin e konsumatorëve, ashtu edhe për të shmangur rreziqet ligjore. Megjithatë, Meta i paralajmëron përdoruesit e rinj se Muse mund të gabojë. Sipas kushteve të shërbimit, përgjegjësinë për veprimet e agjentit e mbajnë përdoruesit.

Lejet e pajisjeve që u përdorën për qëllime të tjera

Për të zbuluar se si Muse mund të hynte në mesazhet e enkriptuara pa dijeninë e përdoruesve, Reuters u përshkroi punonjësve të Signal dhe të AI Now Institute postimin ku punonjësja e Meta-s tregonte se agjenti i kishte kërkuar papritur t’i përgjigjej një mesazhi në Signal. Më pas, Reuters punoi me ta për të riprodhuar aksesin që ajo kishte vërejtur.

Gjatë testimit, studiuesit i kërkuan Muse të lexonte mesazhe nga Signal në sisteme të ndryshme operative. Në një telefon Android dhe në një kompjuter portativ Apple, agjenti anashkaloi mjetin “Connector” të Meta-s dhe mori tekstin e mesazheve duke përdorur lejet që kishte marrë gjatë konfigurimit fillestar. Ai i përdori ato leje në një mënyrë që përdoruesit mund të mos e prisnin.

Konkretisht, në Android agjenti mori mesazhet duke përdorur lejen për të lexuar njoftimet automatike të pajisjes, siç kishin përshkruar punonjësit e Meta-s. Në macOS, Muse përdori së bashku mjetet e aksesueshmërisë dhe ato për kapjen e pamjeve të ekranit, duke shfrytëzuar për një qëllim tjetër funksionet që Apple ofron për t’i ndihmuar personat me aftësi të kufizuara të përdorin kompjuterët e tyre.

Të njëjtat kërkesa u bllokuan gjatë testeve në një iPhone.

Testet e Reuters sugjerojnë se Meta i interpreton gjerësisht lejet që përdoruesit i japin Muse, një praktikë për të cilën kompania është përballur prej kohësh me kritika dhe gjoba. Presidentja e Signal, Meredith Whittaker, akuzoi Meta-n se e kishte lançuar agjentin “pa treguar asnjë respekt për parimet bazë të privatësisë apo sigurisë kibernetike”. Ajo kërkoi që zhvilluesit të kenë mjete teknike për t’ua bllokuar agjentëve të IA-së hyrjen në aplikacionet e tyre dhe që ofruesit e sistemeve operative ta zbatojnë këtë kufizim.

Apple dhe Google thanë se po shqyrtonin mënyra për t’u dhënë përdoruesve më shumë kontroll mbi lejet. Google theksoi se përdoruesit duhet të japin miratimin që një aplikacion të lexojë njoftimet në Android. Apple, ndërkohë, e mbylli praktikisht rrugën e identifikuar nga Reuters, duke kufizuar përdorimin e mjeteve të aksesueshmërisë në kompjuterët Mac dhe duke futur leje të posaçme për agjentët e IA-së.

“Nuk ishte biseda ime”

Punonjësit e Meta-s raportuan se Muse u kishte dërguar përdoruesve njoftime për transaksione që s’kishin ndodhur dhe kishte sajuar çmime për blerje reale, duke u shkaktuar humbje financiare. Në një rast, agjenti rezervoi pa leje një qëndrim në Airbnb me pagesë të parimbursueshme.

Disa mesazhe dukej se përmbanin të dhëna të njerëzve të tjerë. Një punonjësi, Muse i ofroi papritur t’i shkruante një shitësi për të marrë një tavolinë. Kur punonjësi kërkoi shpjegim, agjenti tha se kishte marrë hollësi që me sa dukej nuk i përkisnin atij. “Kjo s’ishte biseda ime”, shkroi punonjësi, duke ngritur dyshimin për rrjedhje informacioni mes llogarive.

Një anëtar i ekipit që zhvillon Muse e përshkroi fillimisht një rast të ngjashëm si defekt të përkohshëm, të zgjidhur brenda ditës. Postimet e brendshme të shqyrtuara nga Reuters dokumentonin raste nga mesi i shtatorit deri në nëntor. Një anëtar tjetër i ekipit tha se mesazhet mund të ishin të sajuara nga agjenti, të cilin udhëzimet e integruara e nxisnin të kontaktonte përdoruesit edhe kur ata nuk po e përdornin. Sipas tij, ekipi po punonte për të zgjidhur probleme si në modelin e IA-së, ashtu edhe në programin që i mundëson Muse të kryejë veprime. Zëdhënësi i Meta-s, Daniel Roberts, nuk pranoi të thoshte sa raste kishte pasur dhe pse problemet vazhdonin. / Reuters

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

11,4 mijë studentë nga Shqipëria studiojnë jashtë, rekord në Ballkan; Kryesojnë Italia e Gjermania

Rreth 11,4 mijë studentë nga Shqipëria ndiqnin studimet e larta jashtë vendit në vitin 2024, sipas të dhënave të Eurostat për 32 vende. Italia mbet...

3 days më parë 3 Min Lexim

Detyrimet, 67% e bizneseve përfituan faljen 100% të kamatave nga aktmarrëveshjet me OSHEE

Rreth 67% e bizneseve që kanë lidhur aktmarrëveshje me OSHEE Group për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura kanë zgjedhur t’i likuidojnë ato me n...

Oct 31, 2026 4 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!