Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për Avokatin e Popullit, rrëzohet kërkesa e opozitës, zgjedhja e Endrit Shabanit është kushtetuese
Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin e arsyetuar, me anë të të cilit vendosi njëzëri rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit (44 deputetë të opozitës) për shfuqizimin e zgjedhjes së Endrit Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit.
Në shqyrtimin e çështjes mbi bazë dokumentesh, trupa gjykuese analizoi tre shtyllat kryesore të pretendimeve të kërkuesve: përmbushjen e kritereve të meritës (zgjedhshmërisë), papajtueshmërinë për shkak të funksioneve të mëparshme politike, si dhe vlefshmërinë e procedurës parlamentare pas tërheqjes së firmave mbështetëse nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
Kufijtë e kontrollit kushtetues dhe vlerësimi i meritës
Kërkuesit kishin pretenduar se Endrit Shabani nuk përmbushte kriterin kushtetues për njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit, duke argumentuar se Komisioni i Ligjeve nuk kishte kryer një analizë të detajuar dhe se në dosje mungonin dokumente provuese specifike.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese theksoi se vlerësimi i meritës së kandidatëve i takon ekskluzivisht Kuvendit në kuadër të autonomisë parlamentare dhe se kontrolli kushtetues kufizohet vetëm në verifikimin nëse kjo vendimmarrje ka qenë arbitrare apo pa bazë faktike. Sipas trupës gjykuese, legjislacioni nuk ngurtëson llojin e dokumenteve që duhen paraqitur, por kërkon të dhëna të verifikueshme.
“Nuk është detyrë e kësaj Gjykate të përcaktojë se cilat veprimtari kanë një peshë të veçantë, për rrjedhojë se ato duhet të provohen në mënyrë të posaçme, përndryshe ajo do të ndërhynte në vetë hapësirën e vlerësimit të organit të emërtesës, Kuvendit”, arsyeton Gjykata, duke vlerësuar se dokumentacioni i depozituar dhe të dhënat e verifikueshme publike siguronin një bazë faktike të mjaftueshme.
Dorëheqja nga politika dhe momenti i papajtueshmërisë
Një tjetër pikë kyçe e ankimit lidhej me faktin se Endrit Shabani kishte mbajtur postin e kryetarit të partisë “Nisma Thurje” dhe mandatin e anëtarit në Këshillin Bashkiak të Tiranës, çka sipas opozitës krijonte papajtueshmëri.
Gjykata bëri një dallim të qartë juridik mes kushteve të zgjedhshmërisë (në momentin e kandidimit) dhe papajtueshmërisë (gjatë ushtrimit të detyrës), duke saktësuar se ndalimet e nenit 61, pika 4 të Kushtetutës aktivizohen në momentin e fillimit të ushtrimit të funksionit, pra ditën e betimit në Kuvend (18.12.2025). Duke analizuar kronologjinë e akteve, Gjykata konstatoi se Shabani kishte dhënë dorëheqjen nga kreu i partisë më 01.10.2025, nga anëtarësia më 15.10.2025 dhe nga Këshilli Bashkiak më 16.10.2025, pra përpara depozitimit të kandidaturës (31.10.2025), zgjedhjes (11.12.2025) dhe betimit.
“Faktet me natyrë kushtetuese që kanë rezultuar gjatë këtij gjykimi nuk provojnë ekzistencën e një shkaku papajtueshmërie pas betimit të Avokatit të Popullit, pra ushtrimin e njëkohshëm të ndonjë funksioni ose veprimtarie me natyrë politike, shtetërore ose profesionale”, përcakton vendimi.
Tërheqja e firmave pas afatit nuk zhbën statusin e kandidatit
Lidhur me aspektin procedural, 44 deputetët e PD-së pretenduan se pas tërheqjes së nënshkrimeve të tyre më 05.12.2025, kandidati Endrit Shabani (i cili kishte depozituar 35 firma, prej të cilave 29 nga PD) kishte mbetur pa mbështetjen minimale prej 28 deputetësh dhe nuk duhej të kalonte për votim në seancë plenare.
Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë interpretim, duke e cilësuar afatin e caktuar për dorëzimin e firmave (02.12.2025) si një kufi procedural që konsolidon statusin e kandidatit. Sipas Gjykatës, mbështetja me firma shërben vetëm për zyrtarizimin e kandidaturës dhe nuk e detyron deputetin në votimin përfundimtar.
“Përfundimi i afatit të paraqitjes së mbështetjes nga deputetët përmbyll fazën e paraqitjes zyrtarisht të kandidaturave të vlefshme për votim në seancë plenare dhe nuk lejohet as paraqitja e mbështetjeve të tjera, as tërheqja e mbështetjes së shprehur tashmë”, thuhet në vendim.
Gjykata shton se lejimi i tërheqjes së firmave post factum do të cenonte sigurinë juridike dhe pritshmëritë e ligjshme të kandidatëve, ndërkohë që deputetët e ruajnë plotësisht lirinë e tyre politike për t’u shprehur me votë pro, kundër ose abstenim në seancë plenare.
Çështjet e Rregullores dhe marrëveshjet politike
Sa i përket pretendimeve të tjera — si mosparaqitja e 28 firmave në një listë unike, rregulli “një deputet një kandidat” (i miratuar në Rregullore vetëm në maj 2026), apo ekzistenca e një marrëveshjeje politike që posti i takonte opozitës — Gjykata vlerësoi se ato nuk përbëjnë çështje të nivelit kushtetues. Në veçanti, për marrëveshjet politike, Gjykata nënvizoi se “një akt i tillë me natyrë politike nuk krijon, pa një mbështetje përkatëse normative, të drejta kushtetuese”.
Në përfundim, duke mos gjetur asnjë cenim të normave apo parimeve kushtetuese në procesin që çoi në zgjedhjen e Endrit Shabanit me 85 vota pro në seancën e 11 dhjetorit 2025, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



