Euroja ka zbritur për herë të parë nën kufirin e 90 lekëve, duke shënuar një tjetër rekord historik në tregun valutor shqiptar. Monedha europiane po e mbyll javën e tretë të nëntorit me një rënie të re, ndërsa vetëm në pesë ditë ka humbur pothuajse 1 lek përballë monedhës shqiptare.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, këtë të premte, më 20 nëntor, një euro këmbehet me 89,78 lekë, ose 0,24 lekë më pak se një ditë më parë.

Rënia e euros është thelluar edhe në krahasim me një vit më parë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kursi euro-lek ka rënë me 7,1% në terma vjetorë, duke regjistruar tkurrjen më të madhe të tre viteve të fundit.