Sulmet vijnë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, kishte paralajmëruar kundërpërgjigje ndaj sulmeve ukrainase në urën që lidh Rusinë me Krimenë.

Gjatë natës, sulmet ruse shënjestruan edhe tri urat në Kiev që kalojnë mbi lumin Dnipro dhe lidhin dy pjesët e kryeqytetit. Sipas raportimit, këto ishin sulmet më të mëdha ruse ndaj kryeqytetit që nga fillimi i luftës. Banorët u strehuan në stacionet e metrosë, ndërsa në qytet u dëgjuan dhjetëra shpërthime, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia kishte lëshuar më shumë se 400 dronë dhe mbi 110 raketa, prej të cilave 27 balistike, duke shënjestruar infrastrukturën energjetike, logjistike dhe hekurudhore në të gjithë Ukrainën.

Ndërkohë, gjatë këtij viti, me përparimet në vijën e frontit kryesisht të kufizuara, të dyja palët kanë shtuar sulmet ajrore. Ukraina ka goditur rrjetin e rafinerive ruse, ndërsa Moska ka shënjestruar infrastrukturën elektrike dhe atë të transportit në Ukrainë.

“Ky ishte një nga sulmet më të mëdha”, ka shkruar Zelensky në Telegram.

Ai akuzoi Putinin se po e përdor terrorin për të kompensuar atë që e cilësoi si pafuqinë ushtarake dhe diplomatike të Rusisë.

Zelensky i përshkroi taktikat ruse si brutale, duke thënë se raketat po vinin në valë, me intervale të shkurtra prej rreth 20 deri në 30 minutash.