Protestuesit kërkuan rritje të pagave dhe më shumë investime në shërbimet publike, ndërsa demonstratat u zhvilluan në një kohë kur në disa vende evropiane po shtohen mobilizimet e të rinjve.

Protestat e studentëve ishin planifikuar edhe në Gjermani, Francë, Britani, Austri, Belgjikë dhe Spanjë, me kërkesa që lidhen me rritjen e kostos së jetesës dhe shpenzimet ushtarake.

Kreu i CGIL-it, Maurizio Landini, tha se kjo ishte një ditë e rëndësishme, pasi të rinjtë po protestojnë jo vetëm në Itali, por në të gjithë Evropën.

“Ndër njerëzit e zakonshëm në të gjithë Evropën, kërkesa për ndryshim po rritet”, deklaroi Landini.

Në grevë u përfshinë punëtorë të sektorit publik dhe privat, përfshirë ata të arsimit dhe shëndetësisë. Aksionet u organizuan edhe nga sindikata të tjera italiane, përfshirë lëvizjen Cobas, ndërsa pakënaqësitë lidhen edhe me politikat e qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni.

Transporti ajror dhe ai hekurudhor nuk u përfshinë në grevën e përgjithshme, ndërsa ndikimi në transportin publik lokal ishte i kufizuar për shkak të shërbimeve minimale të detyrueshme.

Megjithatë, një grevë e veçantë e transportit hekurudhor ishte planifikuar të niste të premten në orën 21:00 dhe të vazhdonte deri të shtunën në orën 20:00.

Duke folur në një tubim në Romë, Landini deklaroi se më shumë se një milion persona kishin marrë pjesë në protestat e organizuara në mbi 100 qytete italiane. Ndërkaq, Ministria e Brendshme e Italisë tha se ishte ende herët për të dhënë një vlerësim të pjesëmarrjes.

Protestat zhvillohen në prag të zgjedhjeve parlamentare në Itali, të cilat pritet të mbahen në vitin 2027.