Vendet europiane po përgatiten për mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake në Ukrainë pas përfundimit të luftës me Rusinë.

Rreth 2.800 ushtarë nga vendet e “Koalicionit të Vullnetmirëve” po zhvillojnë një stërvitje në Poloni, ku për herë të parë po testohen planet për një mision të mundshëm në territorin ukrainas. Nisma drejtohet nga Franca dhe Britania e Madhe, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se çdo trupë e huaj në Ukrainë do të konsiderohet “objektiv legjitim”.

Stërvitja dyjavore, e nisur më 9 nëntor në juglindje të Polonisë, përfshin forca nga 11 vende europiane. Ajo nuk zhvillohet nën drejtimin e NATO-s, por është pjesë e përgatitjeve të një koalicioni prej 37 shtetesh që mbështesin Ukrainën.

Përmes kësaj stërvitjeje, vendet pjesëmarrëse po provojnë se si do të organizohej dërgimi i mijëra ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake në Ukrainë, në rast se lufta përfundon dhe vendoset për një mision ndërkombëtar.

Vetëm Franca ka dërguar 1.100 ushtarë, sipas presidentit Emmanuel Macron. Gjatë stërvitjes, forcat kanë praktikuar mbrojtjen nga sulmet me dronë, luftimet në llogore, transportin e pajisjeve dhe koordinimin e operacioneve ajrore.

Megjithatë, misioni që po përgatitet nuk parashikohet të ketë detyra paqeruajtëse apo të monitorojë armëpushimin. Sipas komandantëve ushtarakë, nëse trupat vendosen në Ukrainë, ato do të ndihmojnë në forcimin e ushtrisë ukrainase, krijimin e kushteve për rihapjen e hapësirës ajrore dhe pastrimin e minave në Detin e Zi.

Përgatitjet ushtarake përkojnë me bisedimet që po zhvillohen në Berlin mes presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, udhëheqësve europianë dhe përfaqësuesve amerikanë për garancitë e sigurisë që mund t'i ofrohen Ukrainës pas luftës.

Zelenski kërkon garanci që Rusia të mos e sulmojë sërish vendin e tij. Nga ana tjetër, Moska kundërshton praninë e NATO-s pranë kufijve rusë.

I dërguari amerikan Jared Kushner deklaroi një ditë më parë se beson që Rusia mund të pranojë garanci sigurie të ngjashme me ato të NATO-s, megjithëse ende nuk është e qartë se çfarë forme do të marrin ato dhe nëse palët do të bien dakord.

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se stërvitja në Poloni tregon gatishmërinë e vendeve europiane për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në garantimin e paqes.

Por presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar që vitin e kaluar se trupat e huaja të vendosura në Ukrainë do të konsiderohen “objektiva legjitime”.

Pavarësisht këtij paralajmërimi, vendet europiane po vijojnë përgatitjet për një mision që, sipas drejtuesve ushtarakë, do të ketë karakter mbrojtës dhe do të mund të nisë vetëm pasi të jetë arritur një armëpushim.