Në ‘97 u bënë bashkë deri me Zani Caushin, sot thonë nuk bëhemi me Berishën
Nga Çim Peka - 16:50, 20/11/2026
Në kohën e Enverit, Xha Petriti jepte motin në TVSH. Edhe kur s’ia qëllonte, të nesërmen prapë atë dëgjoje. Artan Hoxha është njëfarë Xha Petriti i kronikës shqiptare. Ka vite në terren, ka burime dhe di ku të kërkojë kur të tjerët ende po pyesin çfarë ka ndodhur. Edhe kur s’ia qëllon, ia vlen ta dëgjosh.
Këtë herë, kronikani bëri pyetjen që u takonte analistëve politikë. Me çfarë force mendoni ta sfidoni Ramën, nëse nga protesta hiqni partinë më të madhe të opozitës?
Andi Bushati, Fatos Lubonja dhe Enton Abilekaj kanë reputacionin e njerëzve që ia thonë Ramës në sy. Shpesh ia kanë thënë. Por kur Rama rri i qetë, kritika e tyre ndaj tij është e prerë. Sapo pushteti ndien presion nga sheshi, debati i tyre kthehet te faji i opozitës. Për Ramën, ky ndryshim teme vjen gjithmonë në kohën e duhur.
Lubonja, që në ’97 pranonte të gjendej në të njëjtin front edhe me Zani Çaushin, sot sheh me dyshim një front opozitar ku hyn PD-ja. Bushati dilte në protestën e 2011-s, ku ishin edhe Toma, Paulini, Pjerini e Rama. Atëherë, emrat në shesh s’ia hiqnin protestës të drejtën për t’u mbështetur. Sot, prania e PD-së mjafton që ai të vërë në pikëpyetje dobinë e saj.
Abilekaj ndërkohë është gati t’i japë kredi politike çdo figure të re që del e thotë «jam i ndershëm», përpara se ajo të tregojë kë përfaqëson dhe çfarë është në gjendje të bëjë.
Studentët kanë çdo të drejtë ta mbajnë vetë mikrofonin, kërkesat dhe organizimin e tyre. PD-ja mund të sjellë njerëz në shesh pa marrë përsipër të flasë në emër të tyre. Një front i përbashkët mund të mbajë brenda njerëz që s’do të votonin kurrë për njëri-tjetrin. Vlera e tij matet me presionin që ata arrijnë të ushtrojnë bashkë.
Tan Hoxha është sulmuar publikisht nga Berisha. Do ta kishte fare të lehtë të heshtte për peshën e tij. Megjithatë, e thotë hapur se një sfidë serioze ndaj Ramës kalon edhe nga Berisha e PD-ja. Kronikani e sheh politikën aty ku matet, te njerëzit që mund të nxjerrësh në shesh dhe te presioni që mund të mbash kur kamerat ikin.
Tre vëllezërit e Antonio Gramshit mund të vazhdojnë të kërkojnë protestën ideale. Ramës i mjafton që secili të dalë më vete dhe që të nesërmen lajmi të jetë sherri në opozitë.
Kronikani e kuptoi se kush përfiton nga një shesh i ndarë. Analistët ende po debatojnë se kujt i takon mikrofoni.