Blerim Shabani, drejtor i Departamentit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, u mor në pyetje nga Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me veprimet dhe mosveprimet institucionale që kanë të bëjnë me vrasjen e Arlinda Zekajt si dhe me mënyrën se si trajtohet dhuna ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Në nisje të seancës, Shabani kërkoi që ajo të zhvillohej pa praninë e publikut, duke argumentuar se diskutimet mund të preknin çështje që lidhen me fëmijën dhe të ardhmen e tij, të cilat mund të dëmtonin rritjen dhe zhvillimin e tij. Megjithatë, Komisioni e hodhi poshtë këtë kërkesë.
Të lidhura
None found
I pyetur nga kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Burim Ramadani, nëse ishin kryer inspektime të jashtëzakonshme në komuna pas rastit tragjik të Arlinda Zekajt, Shabani u përgjigj shkurt se po.
Ramadani e pyeti nëse inspektimi kishte ndodhur në Lipjan, ndërsa Shabani saktësoi se inspektimi i jashtëzakonshëm ishte kryer në Komunën e Lipjanit dhe, gjatë vitit 2025, edhe në Komunën e Prishtinës, konkretisht në Qendrën për Punë Sociale të Prishtinës.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, e pyeti Shabanin nëse Qendrat për Punë Sociale disponojnë personel, financim dhe kushte të mjaftueshme për të përmbushur detyrat e tyre.
Shabani sqaroi se sigurimi i burimeve njerëzore, infrastrukturës dhe pajisjeve për këto qendra është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e komunave, ndërsa ministria mban përgjegjësi vetëm për financimin e shërbimeve rezidenciale.
Rrahmani ngriti edhe çështjen e mundësisë së ekzistencës së ndonjë mekanizmi tjetër që do të rregullonte shtimin e numrit të punonjësve në Qendrat për Punë Sociale në përputhje me nevojat, por Shabani u përgjigj prerazi se nuk ka asnjë mekanizëm të tillë.
Deputetja Arijeta Rexhepi e pyeti Shabanin për mospërdorimin e formularëve standardë për menaxhimin e rasteve nga Qendra për Punë Sociale në Pejë, konkretisht formularëve 004 dhe 005, duke e pyetur se si e vlerëson këtë shkelje të procedurave dhe çfarë përgjegjësie rrjedh prej saj.
Në përgjigje, Shabani theksoi se përgatitja e formularëve profesionistë është detyrë e ministrisë, kurse plotësimi dhe respektimi i tyre gjatë ushtrimit të punës profesionale mbetet detyrim i çdo profesionisti.
Komisioni Hetimor Parlamentar vijon shqyrtimin e veprimeve dhe mosveprimeve institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe të përgjegjësive të institucioneve në trajtimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.






