E ka të vëllanë vetëm pak metra larg, por prej tre ditësh nuk arrin ta takojë. Daut Krasniqi, me bastun në dorë e lot në sy, pret një mundësi për të përqafuar Jakup Krasniqin, i cili është kthyer përkohësisht nga burgu i Hagës në shtëpinë e tij në Prishtinë.

Një ditë më parë, Dauti shkoi deri te porta e shtëpisë së të vëllait, por nuk e lanë ta takonte. Ai tregoi se vajza e Jakupit i kishte kërkuar të mos takohej me të. Pamjet e publikuara nga mediat e treguan të përlotur, teksa përpjekja për të parë të vëllanë përfundoi pa sukses.

Por Dauti nuk ka hequr dorë. Sot, në ditën e tretë të vizitës së Jakup Krasniqit në Kosovë, ai ka dalë në ballkonin e shtëpisë së tij, në lagjen Velania, me shpresën se të paktën do të mund ta shohë nga larg.

Dy vëllezërit i kanë banesat shumë pranë njëri-tjetrit. Megjithatë, këtë herë, afërsia nuk mjaftoi për t'i bashkuar.

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, mbërriti në Prishtinë më 18 nëntor, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i miratuan një vizitë për arsye të sëmundjes së rëndë të së shoqes Sevdije Krasniqi.

Vizita po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe me kufizime për personat që mund ta takojnë. Për këtë arsye, kthimi i Jakupit në shtëpi nuk ka sjellë bashkimin e shumë pritur me të gjithë familjarët.

Ndërsa Jakup Krasniqi ndodhet pranë të shoqes së sëmurë, Dauti vazhdon të presë në shtëpinë ngjitur. Pas tre ditësh përpjekjesh për një përqafim, sot shpresa e tij është shumë më e madhe: të arrijë të shohë të vëllanë, qoftë edhe për pak çaste nga ballkoni.