Drejtoria e Burgjeve: Veliaj ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, të hënën kryen operacionin

Aktualitet | 8 minuta më parë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht lidhur me gjendjen shëndetësore të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet i paraburgosur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Fier.

Përmes një njoftimi për mediat, institucioni bën me dije se shëndeti i tij është monitoruar në vijimësi që nga momenti i pranimit dhe se ai do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale jo emergjente ditën e hënë, më 23 nëntor 2026, në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit.

Sipas deklaratës zyrtare, menjëherë pas pranimit në IEVP Fier, Veliaj është konsultuar nga stafi shëndetësor pasi ka referuar një dëmtim të kavilies ndësa sqarohet se më 6 nëntor, mjeku specialist ortoped i Spitalit Rajonal Fier, Dr. F.K., kreu ekzaminimin fizik brenda ambienteve të institucionit, duke konstatuar “ngurtësi e kyçit talocrural sinister dhe atrofi muskulare të anësisë interne cruris”, dhe rekomandoi kryerjen e rezonancës magnetike (MRI) dhe radiografisë së kavilies së majtë.

“Vetëm një ditë më pas, më 7 nëntor, në Spitalin Memorial Fier u realizuan ekzaminimet imazherike dhe konsulta me mjekun ortoped turk M.I., i cili rekomandoi ndërhyrje kirurgjikale, por pa evidentuar elemente të urgjencës. Pas mbërritjes së përgjigjeve të rezonancës magnetike në gjuhën angleze dhe shqipe më 9 dhe 10 nëntor, dokumentacioni u shqyrtua më 12 nëntor nga Dr. F.K. Në kartelën klinike, specialisti sugjeroi konsultë me profesorët e Spitalit Universitar të Traumës dhe fizioterapi intensive me “10 seanca pasive, 10 seanca aktive dhe 5 seanca koordinim të të dyjave më lart”.

Më 18 nëntor, një ekip i përbashkët mjekësh të DPB-së dhe specialistëve ortopedë të Spitalit Memorial, Dr. A.D. dhe Dr. M.I., e rivlerësuan pacientin, duke konfirmuar mundësinë e kryerjes së operacionit në këtë spital. DPB bën të ditur se Veliaj nuk ka shprehur kundërshtime dhe në fund të vizitës ka falënderuar ekipin mjekësor, por ka kërkuar mendimin dhe praninë e mjekut të përzgjedhur prej tij, A.G., gjatë operacionit. Edhe pse këtij mjeku iu krijua mundësia të paraqitej po më 18 nëntor në IEVP Fier për të vizituar pacientin dhe për t’u njohur me kartelën, ai nuk është paraqitur”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Drejtoria e Burgjeve thekson se “këtë të premte, më 20 nëntor, është konfirmuar planifikimi me prioritet i operacionit. Përmes mjekut ortoped Dr. A.D., është përcjellë rekomandimi se “ndërhyrja kirurgjikale për pacientin z. Erion Veliaj parashikohet të kryhet ditën e hënë, datë 23.11.2026, në Spitalin Rajonal Memorial Fier”, ndërsa pacienti duhet të shtrohet një ditë më parë, të dielën më 22 nëntor, për analizat dhe konsultat preoperatore”

Duke theksuar se nuk i takon institucionit të komentojë motivet e tij apo të përfshihet në polemika publike, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve siguron familjarët dhe opinionin se Veliaj, si një ndër 4,227 personat e paraburgosur dhe të dënuar në sistemin penitenciar, po trajtohet në zbatim të plotë të ligjit. “Kufizimi i lirisë, i vendosur në përputhje me ligjin, nuk nënkupton në asnjë rast kufizimin e së drejtës për kujdes shëndetësor dhe trajtim dinjitoz”, nënvizon institucioni, duke shtuar se këtë detyrim ligjor dhe njerëzor do ta përmbushë me përgjegjësi për të, ashtu si për çdo person tjetër nën administrimin e tij.

Drejtoria e Burgjeve shton se mbetet në vlerësimin e Veliajt dhe përfaqësuesve të tij nëse mjeku i tij personal do të jetë i pranishëm gjatë këtyre procedurave ose ditën e operacionit.

Gjithashtu, institucioni sqaron edhe lidhur me pretendimet për një kontroll në dhomën ku qëndron ish-kryebashkiaku.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve bëhet fjalë për një procedurë rutinë dhe të planifikuar më herët për verifikimin e elementeve të sigurisë, e cila ka përfshirë disa dhoma të sektorit të kujdesit shëndetësor në IEVP Fier dhe jo vetëm ambientin ku akomodohet Veliaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme