Greqia do të mbledhë të hënën, më 23 nëntor, në Athinë ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve të BE-së që bëjnë pjesë në grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.për të diskutuar përshpejtimin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Takimi, i thirrur me nismën e ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis, zhvillohet vetëm dy ditë përpara Samitit BE–Ballkani Perëndimor.

Në tryezën e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor dhe Partnerët e Ballkanit Perëndimor” do të diskutohen hapat për avancimin e procesit të anëtarësimit dhe mënyrat për të ruajtur zgjerimin e BE-së si një prioritet politik evropian.

Takimi merr rëndësi edhe në kuadër të presidencës greke të Këshillit të Bashkimit Evropian, të parashikuar për gjysmën e dytë të vitit 2027, periudhë gjatë së cilës Athina synon t'i japë një shtysë të mëtejshme perspektivës evropiane të rajonit.

Në qendër të diskutimeve do të jenë reformat në shtetin e së drejtës, forcimi i institucioneve demokratike dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në përputhje me angazhimet e riafirmuara në Deklaratën e Delfit, më 23 prill 2026.

Ministrat do të shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e përfshirjes së ekspertizës së Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), për të mbështetur reformat që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zbatojnë në rrugën drejt anëtarësimit.

Në kuadër të takimit, kryediplomati grek George Gerapetritis do të zhvillojë bisedime dypalëshe me homologët e tij, si dhe me shefen e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, dhe komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.