Pas sulmeve të Rusisë me dronë dhe raketa balistike ndaj Kievit dhe rajoneve të tjera të Ukrainës, tetë persona kanë mbetur të vrarë ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.

“Raketat goditën infrastrukturën jetike në kryeqytet, përfshirë urat. U dëmtuan një objekt i sistemit të kullimit të ujërave, ndërtesa dhe objekte afariste. Gjashtë persona humbën jetën nga sulmi në Kiev. 15 të tjerë u plagosën”, tha kryeministri ukrainas, Serhiy Koretskiy.

Sipas tij tetë persona u vranë nga sulmet në Ukrainë dhe 28 të tjerë u plagosën. Dy persona u vranë nga sulmet ruse në rajonin perëndimor të Lvivit, njoftoi administratori i rajonit.

Koretskiy tha se në Harkiv, në lindje të vendit, ishte goditur një spital i urgjencës, ku katër persona u plagosën dhe u dëmtua një objekt ku kryhen rezonanca magnetike (MRI).

“U dëmtuan ndërmarrje në rajonet e Kievit, Mikolaivit, Odesës dhe Çernihivit, si dhe ndërtesa banimi në rajonet e Dnipropetrovskut, Lvivit, Vinitsës, Sumit dhe Çernihivit. U goditën edhe objekte energjetike”, tha ai.

Më herët, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se shtatë nga personat e plagosur në kryeqytet ishin dërguar në spital. Të plagosurve të tjerë po u jepej ndihma mjekësore në vendin e ngjarjes. Ai tha gjithashtu se ura Jugore, e cila ishte shënjestruar edhe më parë nga sulmet ruse, u godit sërish, por nuk specifikoi nëse kishte pësuar dëme.

“Si pasojë e goditjeve është dëmtuar edhe një objekt i infrastrukturës jetike”, shtoi ai.

Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se kishte kryer sulmet, duke pretenduar se kishte shënjestruar objekte të industrisë ushtarake ukrainase, kapacitete për prodhimin e raketave dhe dronëve, si dhe infrastrukturën energjetike dhe të transportit në Kiev dhe në gjashtë rajone të tjera.