Në premierën botërore në Nju Jork, Zonja e Parë e SHBA-së zbuloi detaje nga produksioni me dy episode, që sjell një vështrim më personal mbi jetën dhe angazhimet e saj pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.
Melania Trump ka prezantuar në Nju Jork serialin e saj të ri dokumentar, “Melania, The Series”, një produksion që synon të zbulojë aspekte më pak të njohura të jetës së saj si Zonjë e Parë e Shteteve të Bashkuara.
Premiera botërore u zhvillua në Qendrën “Lincoln”, në sallën “Alice Tully”, ku morën pjesë figura të njohura nga politika dhe bota e artit, mes tyre Pam Bondi, Kellyanne Conway dhe regjisori Brett Ratner.
E veshur për ceremoninë në tapetin e zi, Melania Trump foli edhe për përfshirjen e saj të drejtpërdrejtë në realizimin e projektit, të cilin e cilësoi një përvojë emocionuese, por edhe sfiduese.
Ajo bëri të ditur se për herë të parë kishte marrë pjesë në të gjitha fazat e prodhimit, nga konceptimi fillestar deri te muzika, montazhi dhe promovimi.
“Gjithçka që shihni është ideja ime”, u shpreh Melania Trump para gazetarëve, duke theksuar kontrollin dhe përfshirjen e saj në çdo detaj të serialit.
Produksioni përbëhet nga dy episode dhe fokusohet te periudha pas inaugurimit të dytë të presidentit Donald Trump, në janar 2025.
Episodi i parë, “Family & Trust” (Familja dhe besimi), trajton përgatitjet e Melania Trump për rikthimin në Shtëpinë e Bardhë, marrëdhëniet me familjarët dhe sfidat që shoqërojnë përgjegjësitë e saj si Zonjë e Parë.
Ndërsa episodi i dytë, “Pride & Honor” (Krenaria dhe nderi), përqendrohet te periudha pas inaugurimit, duke ndjekur objektivat dhe angazhimet që ajo ka vendosur të ndërmarrë në rolin e saj publik.
Seriali vjen pas dokumentarit të parë “Melania”, të publikuar në janar 2026, i cili pasqyronte 20 ditët përpara inaugurimit të dytë të Donald Trump. Sipas Melanias, projekti i ri ndryshon nga produksioni i mëparshëm, pasi përmban më shumë biseda të drejtpërdrejta dhe trajton çështje personale që ajo nuk i kishte diskutuar më parë publikisht.
Regjia e serialit i është besuar Brett Ratner, ndërsa Melania Trump dhe këshilltari i saj i lartë, Marc Beckman, janë producentë ekzekutivë.
Seriali do të jetë i disponueshëm në platformën “Prime Video” në më shumë se 240 vende dhe territore. Në premierë nuk ishte i pranishëm presidenti Donald Trump, i cili ndodhej në udhëtim për t’u kthyer në SHBA pas takimeve dhe samiteve të zhvilluara në Azi.
Përmes këtij produksioni, Melania Trump synon t’i ofrojë publikut një këndvështrim më të afërt mbi përvojën e saj në Shtëpinë e Bardhë, jetën familjare dhe angazhimet që shoqërojnë rolin e saj si Zonja e Parë.

