Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Diego Cerdeiro, Shefi i Misionit për Shqipërinë, vizitoi Tiranën në datat 2 – 20 nëntor 2026.
Gjatë kësaj vizite, misioni zhvilloi takime me përfaqësues të Bankës së Shqipërisë të fushave të ndryshme, si dhe një takim përmbyllës me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe drejtues të lartë të institucionit.
Në takim u diskutuan zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, ecuria e inflacionit dhe e kursit të këmbimit, si dhe gjendja e sistemit bankar dhe roli i tij në financimin e ekonomisë.
Palët shkëmbyen gjithashtu analiza mbi perspektivën ekonomike dhe mbi procesin e vlerësimit të sektorit financiar, në kuadër të programit të përbashkët të FMN-së dhe Bankës Botërore (FSAP).
Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare vijon të tregojë qëndrueshmëri, ndërsa konsumi, investimet dhe aktiviteti i shërbimeve mbeten mbështetës të rritjes ekonomike. Ruajtja e këtij ritmi në afatin e gjatë kërkon rritjen e produktivitetit, forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe vijimin e reformave strukturore, duke shfrytëzuar edhe mundësitë që ofron procesi i integrimit evropian.
Përfaqësuesit e misionit të FMN-së vlerësuan qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe nënvizuan rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik. Ata theksuan se perspektiva ekonomike e vendit mbetet e favorshme, ndërsa pasiguritë në mjedisin ndërkombëtar kërkojnë politika të kujdesshme dhe forcim të kapaciteteve të ekonomisë për të përballuar goditje të mundshme.
Duke u ndalur tek inflacioni, Guvernatori Sejko theksoi se politika monetare mbetet e orientuar drejt garantimit të stabilitetit të çmimeve.
Banka e Shqipërisë po ndjek me kujdes ecurinë e çmimeve, zhvillimet në tregun e punës dhe ndikimet nga mjedisi i jashtëm, duke e mbështetur vendimmarrjen në të dhënat e reja dhe në parashikimet për ekonominë.
Misioni i FMN-së vuri në dukje se kalimi gradual drejt një qëndrimi neutral të politikës monetare ishte i përshtatshëm, duke pasur parasysh pozicionin ciklik të ekonomisë.
Një vend të rëndësishëm në takim zuri ecuria e sistemit bankar. Guvernatori Sejko u shpreh se sektori mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid, duke krijuar kushte për mbështetjen e mëtejshme të bizneseve dhe familjeve me financim.
Ai theksoi se premisat për vijimin e kreditimit mbeten pozitive, por kjo rritje duhet të ecë paralelisht me ruajtjen e cilësisë së portofolit dhe me vlerësimin e kujdesshëm të aftësisë paguese të kredimarrësve.
Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan rëndësinë e një sektori bankar të shëndetshëm për zhvillimin e ekonomisë dhe theksuan nevojën për monitorimin e vazhdueshëm të rreziqeve që shoqërojnë zgjerimin e kredisë.
Në këtë drejtim, u diskutua mbi rolin e mbikëqyrjes dhe të masave makroprudenciale në zbutjen e dobësive financiare dhe në forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit.
Ata mirëpritën ndryshimet e fundit në instrumentet e politikës makroprudenciale, të cilat, të kombinuara me masat e bazuara te huamarrësit, forcojnë rezistencën e përgjithshme të sistemit financiar.
Në vijim, palët u ndalën te procesi i vlerësimit FSAP dhe kontributi i tij në identifikimin e prioriteteve për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar. Guvernatori Sejko e cilësoi këtë proces si një mundësi të rëndësishme për të vlerësuar përparimin e bërë dhe për të orientuar reformat e ardhshme.
Misioni i FMN-së vlerësoi bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë, profesionalizmin e stafit dhe angazhimin e fortë të institucionit në mbështetje të këtij vlerësimi.
Misioni i FMN-së përshëndeti gjithashtu miratimin e ligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pavarësisë institucionale. Përfaqësuesit e misionit theksuan se ky ligj forcon bazën ligjore për përmbushjen e mandatit të bankës qendrore dhe rrit aftësinë e saj për t’iu përgjigjur sfidave ekonomike e financiare të vendit.
Në përfundim, Guvernatori Sejko falënderoi misionin për diskutimet dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm. Ai rikonfirmoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, si kushte thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve./Monitor
