Aktualitet Politikë

“I emëruari personal i Ballukut më bën presion”, kreu i Tatimeve i përgjigjet Spiropalit: Keni kërcënuar inspektorët, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese!

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, i është përgjigjur me një deklaratë publike Elisa Spiropalit, pas deklaratës së bërë një natë më parë në Top Story prej saj, ku u shpreh se Belinda Balluku e ka sulmuar përmes drejtorit të Tatimeve, dhe se sipas saj ai është emëruar prej ish-zëvendës kryeministres në këtë post.

Në një reagim publik, Binaj shprehet se Ballukun nuk e ka takuar personalisht, përveç takimeve publike për shkak të detyrës. Ai i mohon akuzat e Spiropalit, madje deklaron se kjo e fundit bashkë me të shoqin kanë kërcënuar punonjës të Tatimeve, pasi i kanë ushtruar kontroll në bizneset familjare dhe i kanë konstatuar shkelje.

“Unë jam një qytetar shqiptar që i jam përgjigjur thirrjes për t’i shërbyer vendit pas vitesh në SHBA, ku kam punuar në fushën e auditimit financiar.

Nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës.
Sot kam vendosur të bëj këtë deklarim publik, pas një sulmi mediatik që më ka ardhur, jo për herë të parë, nga deputetja Elisa Spiropali.
Ajo që zonja deputete nuk tha, është se Administrata Tatimore e Republikës së Shqipërisë është vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja në fjalë dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare.

Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali.

Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese.

Kontrollet e ushtruara kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha. Për këtë arsye dhe pa asnjë lloj përjashtimi diskriminues, por sipas procedurave tatimore të ndjekura me të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme”, deklaron ai.

Ndërkohë i bën thirrje Spiroplait që të mos i përmendë më emrin, teksa i kujton se , intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.

“I kërkoj znj. Spiropali të mos e përmendë më emrin tim, sepse unë jam një nëpunës i ndershëm i shtetit që nuk merret me politikë dhe nuk lejoj askënd të cenojë dinjitetin tim dhe të familjes sime për shkak të detyrës.
Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore”, e mbyll ai reagimin.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.