Forumi i Parë Mediatik Shqiptaro-Kinez bashkoi përfaqësues të mediave të të dy vendeve, me fokus komunikimin e drejtpërdrejtë, shkëmbimin e përmbajtjeve dhe njohjen më të mirë të realiteteve përkatëse.
Përfaqësues të mediave shqiptare dhe kineze u mblodhën në Tiranë në Forumin e Parë Mediatik Shqiptaro-Kinez, një nismë që synon të krijojë ura të reja komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet organizatave mediatike të të dy vendeve.
Forumi u organizua nga Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri dhe Agjencia e Lajmeve Xinhua, me Argumentum.al si partner mediatik. Në takim morën pjesë përfaqësues të Xinhua News Agency dhe China Media Group (CMG), si dhe gazetarë e drejtues të mediave shqiptare, ndër të cilat Top Channel, Vizion Plus, Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), Albania Daily News, Boldnews, Vox News, BalkanWeb, Tirana Times, MCN TV dhe Tirana Diplomat, etj.
Në qendër të diskutimeve ishte roli i medias në njohjen reciproke të shoqërive, mënyra se si Shqipëria dhe Kina pasqyrohen në hapësirat mediatike të njëra-tjetrës, si dhe mundësitë për të ndërtuar marrëdhënie më të drejtpërdrejta ndërmjet redaksive dhe gazetarëve.
Duke hapur takimin, Marjana Doda, themeluese dhe kryeredaktore e Argumentum.al, theksoi se komunikimi ndërmjet mediave nuk duhet të kufizohet vetëm në shkëmbimin e lajmeve dhe informacionit. Sipas saj, ai mund të shërbejë edhe si një instrument për ndërtimin e urave mes shoqërive, zgjerimin e mirëkuptimit dhe përcjelljen e perspektivave më të plota mbi vendet dhe kulturat e njëri-tjetrit.
Doda vuri në dukje rëndësinë e dialogut ndërkombëtar dhe të bashkëpunimit profesional në një periudhë kur zhvillimet globale janë gjithnjë e më të ndërlidhura. Ajo theksoi gjithashtu se iniciativa të tilla mund të krijojnë mundësi për kontakte të qëndrueshme, projekte të përbashkëta dhe shkëmbim përvojash mes mediave shqiptare dhe kineze.
Ambasadorja Pang Chunxue: Media mund të forcojë miqësinë dhe mirëkuptimin
Në fjalën e saj, ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, e cilësoi median si një urë komunikimi mes dy vendeve dhe popujve. Duke iu referuar 77-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri–Kinë, ajo rikujtoi historinë e shkëmbimeve dypalëshe dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë tregtinë, investimet, turizmin, kulturën dhe arsimin.

Tri propozime për bashkëpunimin mediatik
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së saj, ambasadorja ia kushtoi perspektivave të bashkëpunimit ndërmjet organizatave mediatike të të dy vendeve, duke paraqitur tri propozime konkrete.
Së pari, ajo theksoi nevojën për të përcjellë më shumë histori mbi miqësinë shqiptaro-kineze, duke përfshirë jo vetëm të kaluarën dhe rezultatet e bashkëpunimit dypalësh, por edhe përvojat dhe shkëmbimet e përditshme mes qytetarëve të të dy vendeve.
Së dyti, Pang Chunxue nënvizoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet organizatave mediatike, përmes shkëmbimit të përmbajtjeve, trajnimit të gazetarëve, raportimeve të përbashkëta dhe formave të tjera të bashkëpunimit profesional.
Së treti, ajo vuri theksin te rëndësia e raportimit objektiv dhe të balancuar, duke u shprehur se gazetarët duhet të ruajnë mendje të hapur, kureshtje dhe përgjegjësi profesionale, duke u mbështetur te faktet.
“Shpresojmë që pasqyrimi mediatik i vendeve të njëri-tjetrit të jetë sa më objektiv dhe i balancuar, në mënyrë që të thellohet mirëkuptimi i ndërsjellë mes dy popujve”, theksoi ambasadorja.
Ajo nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit të përmbajtjeve, trajnimit të gazetarëve dhe organizimit të raportimeve të përbashkëta, duke shprehur pritshmërinë që forumi të kontribuojë në zgjerimin e njohjes reciproke mes dy shoqërive.
Pas fjalës së ambasadores, përfaqësuesit e Xinhua News Agency dhe China Media Group (CMG), Chen Gang dhe Yang Mingjiao, prezantuan profilin, përvojën dhe shtrirjen ndërkombëtare të dy organizatave mediatike.
Xinhua News Agency – 95 vjet informim dhe bashkëpunim ndërkombëtar
Chen Gang, Shef i Byrosë së Agjencisë së Lajmeve Xinhua në Athinë, prezantoi historikun, veprimtarinë dhe rrjetin ndërkombëtar të agjencisë, e cila u themelua në vitin 1931 dhe këtë nëntor shënon 95-vjetorin e krijimit.
Gjatë prezantimit, përfaqësuesi i Xinhua-s u ndal te roli i medias në një mjedis informativ gjithnjë e më kompleks dhe në ndryshim të shpejtë, duke theksuar rëndësinë e informimit të bazuar në të vërtetën, objektivitetin dhe arsyetimin.
Chen bëri të ditur se Xinhua synon të zgjerojë bashkëpunimin me organizatat mediatike shqiptare, duke vënë në dispozicion bazat e saj të të dhënave me lajme, fotografi dhe materiale multimediale nga Kina dhe vende të tjera të botës. Ai shprehu interesin për shkëmbimin e përmbajtjeve informative, sigurimin e raportimeve nga Shqipëria, realizimin e intervistave dhe kërkimeve të përbashkëta, si dhe prodhimin e materialeve mediatike me interes për audiencat e të dy vendeve.
Sipas Chen, përdorimi i teknologjive digjitale dhe platformave të mediave sociale krijon mundësi të reja për bashkëpunim, përmes shkëmbimit të informacionit dhe prodhimit të përbashkët të raportimeve që pasqyrojnë zhvillimet, kulturën, traditat dhe jetën e përditshme në Kinë dhe Shqipëri.
China Media Group – Një rrjet mediatik me shtrirje globale
Në vijim, Yang Mingjiao prezantoi veprimtarinë e China Media Group (CMG), grupit mediatik të themeluar në vitin 2018, duke u ndalur te struktura organizative, rrjeti ndërkombëtar i transmetimit, kapacitetet e prodhimit audioviziv dhe zhvillimet teknologjike.
Sipas të dhënave të paraqitura nga përfaqësuesja e CMG-së, grupi operon 51 kanale televizive, 22 frekuenca radiofonike dhe tri faqe lajmesh, me përmbajtje në 85 gjuhë. Njëmbëdhjetë kanale televizive ndërkombëtare kanë mbulim satelitor në 208 vende dhe rajone, ndërsa CMG raporton mbi 680 milionë përdorues jashtë Kinës.
Yang Mingjiao prezantoi gjithashtu rrjetin ndërkombëtar të mbledhjes së lajmeve, i mbështetur në tetë seli rajonale jashtë Kinës, si dhe aktivitetin e agjencisë ndërkombëtare të videolajmeve CCTV+, e cila ofron shërbime për më shumë se 5.000 transmetues dhe platforma digjitale në 158 vende dhe rajone.
Një tjetër drejtim i prezantimit ishte zhvillimi teknologjik i grupit, veçanërisht në fushën e integrimit të teknologjive 5G, transmetimit me cilësi të lartë 4K/8K dhe inteligjencës artificiale, të cilat po përdoren në proceset e prodhimit dhe shpërndarjes së përmbajtjes mediatike.
Në lidhje me bashkëpunimin ndërkombëtar, prezantimi evidentoi pjesëmarrjen e CMG-së në organizata të rëndësishme të transmetimit, si Unioni i Transmetuesve të Azi-Paqësorit dhe Unioni Evropian i Transmetimeve, si dhe marrëveshjet e bashkëpunimit me organizata mediatike në vende të ndryshme. Këto partneritete përfshijnë shkëmbimin e lajmeve dhe përmbajtjeve audiovizive, bashkëprodhimin e programeve dhe shkëmbimin e përvojave profesionale e teknologjike.

Kina në median shqiptare dhe Shqipëria në median kineze
Një nga sesionet kryesore të forumit iu kushtua perceptimit të Kinës në median shqiptare dhe pasqyrimit të Shqipërisë në median kineze.
Kryeredaktori i Albania Daily News, Alqi Koçiko, u ndal te ndryshimi i imazhit të Kinës në median shqiptare gjatë 35 viteve të fundit, duke vënë në dukje transformimin e saj nga një partner historik në një fuqi me peshë të konsiderueshme ekonomike, teknologjike dhe politike në arenën ndërkombëtare.
Ai theksoi se pasqyrimi mediatik i Kinës në Shqipëri karakterizohet nga këndvështrime të ndryshme, ku krahas raportimit mbi arritjet ekonomike dhe teknologjike shfaqen edhe narrativa të ndikuara nga debatet politike dhe gjeopolitike ndërkombëtare.
Duke nënvizuar rëndësinë e një raportimi objektiv dhe të mbështetur në fakte, Koçiko theksoi se mediat duhet të ofrojnë informacion të verifikuar, kontekst dhe një gamë më të gjerë burimesh, në mënyrë që publiku të krijojë gjykimin e vet.
“Çështja kryesore nuk është nëse Kina duhet të paraqitet pozitivisht apo negativisht, por nëse audiencat në të dy vendet kanë akses në informacion mjaftueshëm të saktë për të formuar gjykimet e tyre”, theksoi ai.
Në këtë drejtim, ai sugjeroi që mediat shqiptare t’i kushtojnë më shumë vëmendje shoqërisë, kulturës, arsimit, kërkimit shkencor dhe jetës së përditshme në Kinë, ndërsa mediat kineze të ofrojnë një pasqyrim më të gjerë të realitetit shqiptar, përtej historisë dhe marrëdhënieve zyrtare dypalëshe.
Koçiko evidentoi gjithashtu nevojën për të zgjeruar bashkëpunimin praktik mes mediave të të dy vendeve, përmes shkëmbimit të përmbajtjeve, kontakteve profesionale dhe mundësive për raportime të përbashkëta.














