Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka ngritur një akuzë të rëndë lidhur me ndikimin që, sipas saj, ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku vazhdon të ushtrojë përmes personave që ajo vetë i ka emëruar në poste kyçe shtetërore.
Gjatë një interviste në emisionin “Top Story” të Top Channel, Spiropali përmendi hapur drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, si dhe një ministër, duke pretenduar se të dy janë emërime personale të Ballukut.
Të lidhura
None found
Ish-kryetarja e Kuvendit shprehu shqetësimin se këta zyrtarë mund t’i përdorin detyrat e tyre institucionale për të bërë presion mbi të dhe familjen e saj. “Një njeri që është sot i pandehur, me dosjen me problematika të rënda me drejtësinë, mund të përdorë ende institucionet për t’i bërë presion ish-kryetares së Kuvendit, deputetes së PS-së. Po çfarë ndodh me njerëzit e thjeshtë të vendit? Me ata që protestojnë? Kush u shkon në derë? Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, që është i emëruar personal i Belinda Ballukut, ministri që është i emëruar prej saj…”, u shpreh Spiropali.
Ajo ndaloi gjithashtu te mënyra se si funksionon Partia Socialiste, duke pranuar se në të kaluarën kishte mbrojtur individë brenda partisë, të cilët, sipas saj, shpërndanin favore ekonomike përmes mesazheve telefonike.
Spiropali e vuri Ballukun në qendër të kritikave ndaj modelit të qeverisjes, duke e cilësuar si një tjetër pasojë të mungesës së kontrollit dhe përgjegjshmërisë brenda strukturave të partisë. Sipas saj, vendimmarrja është mbështetur shpesh te telefonatat, mesazhet dhe marrëveshjet personale, në vend të mekanizmave transparentë institucionalë.








