Komisioni i Ekonomisë miraton paketën fiskale 2027 dhe projektligjin për konglomeratet financiare
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, i drejtuar nga kryetarja Milva Ekonomi, zhvilloi dy mbledhje radhazi ku miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin për mbikëqyrjen e konglomerateve financiare, si dhe pesë projektligjet që përbëjnë paketën fiskale për buxhetin e vitit 2027.
Mbikëqyrja e konglomerateve financiare dhe përafrimi me BE-në
Në mbledhjen e parë, anëtarët e komisionit shqyrtuan në detaje projektligjin “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”, një nismë e cila ishte diskutuar më herët në parim.
Në seancë morën pjesë Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, Drejtoresha Juridike e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Lusjana Lloji, Drejtoresha e Mbikëqyrjes së Tregut të Sigurimeve në AMF, Marsela Vaska, dhe Përgjegjësi i Sektorit të Çështjeve Bankare në Departamentin Juridik, Genci Ndrija. Gjatë prezantimit të tij, Zëvendësministri Yzeiraj theksoi se “kjo nismë ligjore synon të përafrojë me direktivë respektive të Bashkimit Evropian”.
Pas relacionit të deputetes Briseida Çakërri, e cila paraqiti ndryshimet e propozuara dhe ftoi kolegët për votim, komisioni e miratoi projektligjin nen për nen dhe në tërësi.
Miratohen pesë projektligjet e paketës fiskale 2027
Mbledhja e dytë e komisionit iu kushtua shqyrtimit të raporteve për dhënie mendimi dhe votimit nen për nen të paketës fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2027. Përveç Zëvendësministrit të Financave, Endrit Yzeiraj, të ftuara në këtë seancë ishin edhe drejtueset e politikave dhe administrimit tatimor në ministri: Arjana Dyrmishi (Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Fiskale), Enkeleda Kuçi (Drejtoresha e Tatimeve Indirekte) dhe Zarina Taja (Drejtoresha e Tatimeve Direkte).
Pas diskutimeve, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi të gjitha nismat e paketës:
- Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH): Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, ‘Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar” u relatua nga deputetja Briseida Çakërri dhe kaloi pas shqyrtimit të neneve të ndryshuara.
- Taksat Kombëtare: Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për Taksat Kombëtare’, të ndryshuar” u prezantua nga relatori Admir Kadeli dhe u miratua në tërësi.
- Tatimi mbi të Ardhurat: Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, ‘Për Tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar” u relatua nga deputeti Adi Qose, duke marrë miratimin e komisionit.
- Akcizat: Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, ‘Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar” u paraqit nga deputetja Antoneta Dhima me “ndryshimet e dakordësuara” dhe u miratua nen për nen.
- Procedurat Tatimore: Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar” u relatua nga deputeti Elton Korreshi dhe u miratua në tërësi pas diskutimeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



