Sekretarja e Organizatave Partnere dhe Shoqërisë Civile në Partinë Demokratike, Eva Meta, ka mbajtur një fjalim gjatë Foltores së Ripërtëritjes në Tiranë, ku theksoi rëndësinë e angazhimit politik, bashkëpunimit mes brezave dhe përgatitjes së opozitës për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në prani të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, deputetëve Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku, si dhe drejtuesve të degëve të Tiranës, Meta foli për rrugëtimin e saj politik, duke kujtuar pjesëmarrjen në protesta dhe qëndrimin pranë Partisë Demokratike edhe në periudhat më të vështira.
Ajo u shpreh se nuk e ka zgjedhur politikën vetëm në momentet kur ajo duartrokitet, por edhe në ditët kur kërkohet forcë për të qëndruar dhe për të mos braktisur bindjet.
Fjala e Eva Meta:
Të nderuar të pranishëm, të dashur demokratë, miq dhe bashkudhëtarë të këtij rrugëtimi!
Të nderuar deputetë, zoti Belind Këlliçi dhe zonja Jorida Tabaku!
I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha!
I nderuar kryetar i Partisë Demokratike, Dega 1, zoti Fetah Hasanaj!
E nderuar kryetare e Degës 2, zonja Majlinda Frendi!
I nderuar kryetar i Degës 3, zoti Gëzim Demushi!
I nderuar kryetar i Degës 12, zoti Festim Dushku!
Është kënaqësi të jem sot mes jush, në një takim që besoj se ka një rëndësi përtej një aktiviteti të zakonshëm politik. Sepse çdo organizim politik ka nevojë për momente reflektimi. Momente kur ndalemi për të parë rrugën që kemi bërë, për të vlerësuar njerëzit që kanë qenë pjesë e saj dhe, mbi të gjitha, për të menduar se çfarë duam të ndërtojmë së bashku.
Ndoshta dikush mund të pyesë: Pse një vajzë e re zgjedh një rrugë që kërkon kaq shumë kohë, energji, sakrifica dhe përballje? Përgjigjja ime është e thjeshtë: sepse nuk kam dashur kurrë të jem thjesht një spektatore e asaj që ndodh në vendin tim. Kam dashur të jem aty ku merren vendimet, aty ku ndërtohen idetë dhe aty ku bëhen përpjekjet për ndryshim.
Ky rrugëtim ka nisur shumë vite më parë. Kam qenë në sheshe, në protesta, në ditë entuziazmi, por edhe në ditë të vështira. Gjatë këtij rrugëtimi kam parë shumë njerëz të vijnë dhe disa të shkojnë. Kam parë periudha të vështira për familjen tonë politike, por vetë kam zgjedhur të mos e braktis bindjen time. Sepse unë nuk e kam zgjedhur politikën vetëm në ditët kur ajo duartrokitet. E kam zgjedhur edhe për ditët kur duhet të kesh forcën të qëndrosh.
Ndoshta atëherë nuk e kuptoja plotësisht se sa i gjatë do të ishte ky rrugëtim, sa shumë përvoja do të më jepte dhe sa njerëz do të njihja përgjatë tij. Por kisha diçka që vazhdon të më shoqërojë edhe sot: dëshirën për të kontribuar.
U rrita politikisht bashkë me këtë rrugëtim. Erdhën protestat, angazhimet, sfidat, momentet e bukura dhe ato të vështira. Dhe sot, kur shoh pas, ndihem krenare që nuk kam qenë thjesht një vëzhguese e historisë së kësaj partie, por një pjesë aktive e saj.
Sot jam anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike dhe mbaj përgjegjësi në Sekretariatin e Organizatave Partnere dhe Shoqërisë Civile. Për mua, kjo nuk është thjesht një arritje personale; është një dëshmi se angazhimi i nisur herët, përkushtimi dhe besimi mund të të çojnë drejt përgjegjësive gjithnjë e më të mëdha.
Unë nuk jam nga ata njerëz që e kanë njohur politikën vetëm në ditë të mira. Jam pjesë e një brezi që është rritur politikisht në përballje, në protesta, në sakrifica dhe në ditë kur të qëndroje kërkonte shumë më tepër sesa thjesht të kishe një bindje. Kam qenë aty që në fillim, kam parë zhgënjime, kam përjetuar vështirësi, por nuk kam zgjedhur të largohem kur gjërat janë bërë të vështira.
Sepse për mua bindja politike nuk është një kostum që e veshim kur na leverdis dhe e heqim kur ndryshon koha; është një përgjegjësi. Dhe pikërisht për këtë arsye jam sot këtu.
Ne jemi mbledhur sot jo thjesht për të zhvilluar një takim, por për të dëshmuar se Partia Demokratike ka ende energji, ka njerëz, ka ideale dhe, mbi të gjitha, ka një arsye të fortë për të ecur përpara.
Ripërtëritja nuk do të thotë të fshijmë historinë e atyre që kanë kontribuar. Përkundrazi, do të thotë ta respektojmë atë histori dhe të kemi guxim t'i shtojmë asaj kapituj të rinj. Dua të shoh një parti ku përvoja dhe energjia e të rinjve nuk konkurrojnë me njëra-tjetrën, por plotësojnë njëra-tjetrën. Ku kontributi vlerësohet, ku ideja dëgjohet dhe ku askush nuk ndihet i tepërt.
Dhe sot, kur na presin zgjedhjet lokale, duhet ta kemi shumë të qartë se përballë kemi një përgjegjësi të madhe, por edhe një mundësi të jashtëzakonshme. Unë besoj te fitorja, jo si një slogan që përsëritet nëpër takime, por si një objektiv që ndërtohet me njerëz, me organizim, me besim dhe me punë. Besoj se mund t'ua rikthejmë qytetarëve shpresën se Tirana dhe Shqipëria mund të kenë një drejtim tjetër.
Dhe dua t'i them diçka të gjithë demokratëve të pranishëm në këtë sallë: Kontributi juaj nuk është harruar, qëndresa juaj nuk ka qenë e kotë. Çdo njeri që ka dhënë kohën, energjinë dhe besimin e tij për këtë familje politike ka një vend dhe ka një vlerë.
Një falënderim për njerëzit që kanë dhënë kohë, energji dhe përkushtim, për ata që kanë mbajtur gjallë strukturat edhe në ditët më të vështira. Pas çdo organizimi ka njerëz, pas çdo proteste ka sakrifica dhe pas çdo kontributi ka një histori që meriton respekt.
Por tani është koha që këtë histori ta kthejmë në forcë për të ardhmen. Kur të vijë dita të flasim për ndryshimin e Shqipërisë, dua që të mos jemi duke numëruar sa shumë kemi shpresuar, por sa shumë kemi arritur.
Unë besoj te fitorja, besoj se ne do ta fitojmë Tiranën, por, mbi të gjitha, besoj se duhet t'u japim qytetarëve një arsye të re për të besuar.
Doktor, unë e di që ju e keni shumë qejf psikologjinë dhe jam e sigurt që keni lexuar shumë libra psikologjikë. Unë kam lexuar librin e Carl Rogers, ‘On Becoming a Person’, dhe më ka tërhequr veçanërisht vëmendjen një fragment që thotë: ‘Ndryshimi i vërtetë fillon kur kemi guximin ta pranojmë veten ashtu siç jemi’.
Mendoj se ky është një reflektim që ka shumë kuptim edhe për ne sot. Sepse ndryshimi i vërtetë fillon me guximin për të reflektuar, për të dëgjuar dhe për të pranuar se gjithmonë mund të bëhemi më mirë.
Një mesazh për të gjithë të rinjtë e pranishëm sot në sallë: Mos e nënvlerësoni kurrë fuqinë e një fillimi të vogël. Mos mendoni se jeni shumë të rinj për të kontribuar, për të pasur ide, për të marrë përgjegjësi apo për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Unë jam një shembull se një rrugëtim mund të nisë që në fëmijëri dhe të të çojë, përmes viteve të angazhimit, drejt përgjegjësive që dikur mund të dukeshin shumë larg.
Mos prisni të vijë e ardhmja për të qenë sot pjesë e saj. Filloni ta ndërtoni që sot.
Dua ta mbyll duke u kthyer edhe një herë te ajo vajza e vogël që e nisi këtë rrugëtim shumë vite më parë. Sot, pas gjithë këtyre viteve, ajo vazhdon të ketë të njëjtin besim, por edhe një përgjegjësi më të madhe.
Dhe nëse kam mësuar diçka gjatë gjithë kësaj kohe, është se ëndrrat kanë vlerë kur shoqërohen me përkushtim dhe se asnjë kontribut nuk është i vogël kur bëhet me bindje.
Prandaj dua që secili prej nesh të largohet sot nga kjo sallë me të njëjtën energji dhe me besimin se kemi përpara një mundësi të jashtëzakonshme. Le të jemi një ekip që beson te njëri-tjetri, një parti që frymëzon të rinjtë dhe një forcë politike që shkon drejt fitores me kokën lart.
Unë besoj te ne, besoj te Dega 2, besoj te Dega 12, besoj te Dega 1, besoj te Dega 3. Besoj te Partia Demokratike dhe besoj se së bashku do t'ia dalim.
Ne do të fitojmë, Tirana do të fitojë, Shqipëria do të fitojë!
Faleminderit!
© SYRI.net
‘Protesta e 28 Nëntorit, madhështore’, Alizoti: Rama do rezistojë pak kohë me polici e krim, fundi i pashmangshëm
VIDEO/ Eskiu: Rama po rrezikon ekzistencën e kombit shqiptar, opozita duhet të bashkohet për ta ndalur
Lidhjet e Gentian Salës me Vlora Hysenin e Ergys Agasin, Hoxhaj: Dosja e SHISH voluminoze, zbardh zullumet...