‘Edi Rama është në ditën e tij më të zezë. Nuk ka sondazh, jo të pavarur, por as të vetë Partisë Socialiste, që nuk e nxjerr humbës në Tiranë’, deklaroi nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, gjatë Foltores së Ripërtëritjes në Tiranë.
Këlliçi theksoi se fitorja e opozitës në kryeqytet është e arritshme, por kushti kryesor është bashkimi i të gjitha forcave opozitare. ‘Sot është momenti që ne të lëmë mënjanë çdo pakënaqësi, të lëmë mënjanë çdo inat dhe të vendosim përpara nesh një objektiv madhor: largimin e Edi Ramës, duke nisur me fitoren e Tiranës’, u shpreh ai.
Duke iu drejtuar demokratëve, Këlliçi vlerësoi qëndresën e strukturave të PD-së dhe protestat e zhvilluara ndër vite, ndërsa u bëri thirrje forcave politike opozitare të bashkohen pa kushte përballë qeverisë. ‘Bashkia e Tiranës sot është një objektiv 100% i arritshëm për t'u fituar nga opozita, me të vetmin kusht: bashkimin’, deklaroi nënkryetari i PD-së.
Fjala e nënkryetarit të PD, Belind Këlliçi:
Të nderuar demokratë,
Kushdo që ka një pikëpyetje sot në raport me këtë slogan, nëse është një mesazh politik apo një realitet në Partinë Demokratike, kam përshtypjen se përgjigjen e merr në këtë sallë, e merr nga kjo foltore e Tiranës.
Para meje folën dy vajza të shkëlqyera, Eva dhe Desada, të dyja sot produkt i strukturave të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe të dyja anëtare të zgjedhura me votë të Kryesisë së Partisë Demokratike, forumit më të lartë vendimmarrës në Partinë Demokratike.
Në rreshtin e parë keni një ekip të jashtëzakonshëm që ofron sot Partia Demokratike në strukturat e saj më të larta, të rinj e të reja. Mjafton t'ju them se Jorida, Iliri dhe Mimoza kanë marrë 50 mijë vota në fushatën elektorale të zhvilluar një vit më parë, aty ku kemi pasur gjithë shtetin kundër, gjithë paratë e krimit kundër, gjithë Policinë e Shtetit kundër, kemi pasur çdo punonjës të administratës shtetërore kundër. Dhe ky ekip ia ka dalë që jo vetëm këta tre kandidatë të marrin 50 mijë vota në Tiranë, por edhe të marrin mbi gjysmë milioni vota në Shqipëri. Por, mbi të gjitha, ia ka dalë të mbajë opozitën shumë gjallë, shumë fort, dhe ta mbajë institucionin e protestës sot gjallë.
Nëse ka pasur një protestë të flamingove, nëse ka pasur një protestë të studentëve, kjo ka ndodhur në vitin 2016, për shkak se Partia Demokratike, për shkak se ju, keni 13 vite që protestoni çdo ditë. Partia Demokratike ka 13 vite që proteston çdo ditë.
Në këtë sallë, dhe nuk dua të lë asnjë njeri mënjanë, Floriana, Mirlinda, Mimoza, që e përmenda, Eva, Juli, Jorida sërish, Iliri, kryetarja Majlinda, Gëzimi, Festimi, Ergesi, Keltisi, Ergysi, Fabiola, Fjoralba, të gjithë dua t'ju përmend një nga një, por nuk kemi kohë. Të gjithë kemi qenë pjesë e protestave, të gjithë kemi qenë pjesë e sakrificës.
Po ku kemi arritur? Nëse katër vite më parë në Tiranë ne organizonim foltore në një situatë krejt të paprecedentë, ku ishim pa vulë, pa logo, pa simbolet tona, sot ne jemi në një situatë krejt tjetër.
Edi Rama është në ditën e tij më të zezë. Nuk ka sondazh, jo të pavarur, por as të vetë Partisë Socialiste, që nuk e nxjerr Edi Ramën humbës në Tiranë. Në të gjithë Shqipërinë e nxjerr humbës, por mbi të gjitha e nxjerr humbës në Tiranë. Ama, me një kusht: bashkimin e të gjithë opozitës.
Një shprehje e famshme e presidentit të 16-të amerikan, Abraham Lincoln, në vitin 1858, në një fjalim të famshëm, ‘House Divided Speech’, ka qenë e tillë: ‘Një shtëpi e përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë në këmbë’.
Ne e kemi mbyllur të gjithë kapitullin e debateve të brendshme që kemi pasur. Sot jemi të gjithë bashkë dhe jemi të motivuar për të rrëzuar Edi Ramën.
Por sot unë dua t'i bashkohem thirrjes së doktor profesor Sali Berishës, thirrjes së Partisë Demokratike për çdo forcë politike opozitare që e sheh veten kundërshtare me Edi Ramën. Sot është momenti që ne të lëmë mënjanë çdo pakënaqësi, të lëmë mënjanë çdo inat, të vendosim përpara nesh një objektiv madhor që duhet të ketë çdo opozitar në Shqipëri: largimin e Edi Ramës, duke nisur me fitoren e Tiranës.
Sot është mundësia që Tiranën ne t'ua kthejmë qytetarëve.
Se çfarë ka bërë Partia Demokratike, mjafton t'ia kujtoni çdo qytetari që ngre ndonjë pikëpyetje: për 44 javë me radhë, Partia Demokratike ka protestuar para Bashkisë së Tiranës, duke bërë të mundur faktimin e të gjitha atyre akuzave që bëmë në zgjedhjet e vitit 2023, se Bashkia e Tiranës drejtohej nga një grup i strukturuar kriminal, se zgjedhjet iu vodhën Partisë Demokratike. Dhe sot, ajo që ne kemi thënë, ajo që ne kemi kallëzuar, është realitet.
Bashkia e Tiranës sot është një objektiv 100% i arritshëm për t'u fituar nga opozita, me të vetmin kusht: bashkimin.
Shumë baltë na kanë hedhur, shumë të pavërteta kanë thënë për Partinë Demokratike, por prapë pjekuria jonë politike dhe momenti historik na diktojnë një bashkim pa kushte.
Kur themi pa kushte, pa diskutim, ne jemi partia më e madhe politike opozitare në vend dhe nuk i vendosim kujt kushte. Por, nga ana tjetër, pa diskutim, askush nuk mund t'i vendosë kushte Partisë Demokratike.
Faleminderit ju, faleminderit për qëndresën tuaj, faleminderit për faktin që i keni dhënë shpresë shqiptarëve dhe faleminderit për gjithçka keni bërë, bëni dhe do të bëni për Partinë Demokratike dhe për opozitën shqiptare.
Zoti ju bekoftë ju, Zoti bekoftë Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe çdo demokrat.
Faleminderit!
© SYRI.net
Anëtarja e kryesisë PD-së, Xhetani: Ripërtëritja, pas çdo të riu shoh një mundësi të re për këtë parti
Meta: Do të fitojmë Tiranën, Shqipëria do të fitojë, ripërtëritja kërkon bashkimin e përvojës me energjinë e të rinjve
‘Protesta e 28 Nëntorit, madhështore’, Alizoti: Rama do rezistojë pak kohë me polici e krim, fundi i pashmangshëm