Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren e Ripërtëritjes në Tiranë, tha se Shqipëria, pas 35 vitesh demokraci, është rikthyer në kushtet e partisë-shtet, duke ngritur akuza të forta ndaj qeverisë për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në fjalën e tij përpara demokratëve, Berisha vlerësoi qëndresën e anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, të cilët arritën të ruanin rolin e opozitës pavarësisht vështirësive dhe përpjekjeve për ta dobësuar atë.
Duke iu referuar zgjedhjeve të 11 majit, kreu i PD-së pretendoi se ato u zhvilluan në kushte të pabarabarta dhe nën ndikimin e strukturave shtetërore, duke i cilësuar si një farsë elektorale. Berisha solli në vëmendje edhe lëvizjen demokratike të dhjetorit 1990, duke kujtuar se një nga kërkesat themelore të asaj kohe ishte ndarja e partisë nga shteti.
”Unë dhe një pjesë e juaja e rikujtojmë dhjetorin e vitit ’90, janarin e vitit ’91, kur ne ngriheshim në sheshet dhe rrugët e Tiranës me kërkesë themelore: ndarjen e partisë nga shteti”, u shpreh Berisha. Sipas tij, është shqetësues fakti që, pas më shumë se tri dekadash pluralizëm, vendi përballet sërish me problematika që lidhen me raportin mes pushtetit politik dhe institucioneve shtetërore.
“Por tragjike është se pas 35 vitesh, jo ne, po ekipet më serioze ndërkombëtare që vëzhguan zgjedhjet e 11 majit i damkosën ato si zgjedhje të partisë-shtet, pra si një farsë e vërtetë elektorale”, deklaroi kreu i opozitës. Në përfundim të kësaj pjese të fjalës, Berisha nënvizoi rëndësinë e qëndresës së demokratëve, duke shprehur bindjen se Partia Demokratike ndodhet në prag të asaj që ai e cilësoi si një fitore historike.
