Fituesi i edicionit të parë të “Big Brother Albania”, Arbër Çepani, ka folur për jetën private, vëmendjen mediatike dhe mundësinë e një rikthimi në reality show-n që e bëri të njohur.
I ftuar në emisionin “Tech Talk”, ku u intervistua nga gazetarja Kristi Gongu, Çepani u ndal te mënyra se si personazhet publikë bëhen pjesë e lajmeve rozë dhe komentohen në rrjetet sociale.
I pyetur nëse do të dëshironte që disa gjëra nga jeta e tij të mbeteshin private, ai tha se nuk mund ta kontrollojë interesin e publikut, por mund të zgjedhë të mos e ushqejë më tej atë duke shmangur ekspozimin e panevojshëm në media.
“Çfarëdo që të doja unë, është e pamundur. Është një gjë që nuk e kam në dorë. Unë kam në dorë të mos i hedh benzinë zjarrit, duke u marrë me ushqimin e lajmeve rozë apo, ku di unë, gjërave të tilla. Prandaj, përgjithësisht, së fundmi evitoj edhe të shfaqem në televizion apo në media ku nuk kam diçka për të thënë, nëse bëhet fjalë thjesht për të mbushur një hapësirë televizive”, u shpreh ai.
Sa i përket komenteve dhe cenimit të privatësisë në rrjetet sociale, Çepani theksoi se kjo është një dukuri që shoqëron personazhet publikë kudo në botë.
“Personazhet publike komentohen kudo. Kjo gjë ka lindur dhe do të vdesë me njerëzimin”, tha ai.
Biseda u bë më humoristike kur gazetarja e pyeti për fotografinë e fundit që kishte bërë. Çepani reagoi me të qeshur, duke lënë të kuptohej se nuk ishte në kushtet më të përshtatshme për një fotografi, pasi sapo kishte ardhur nga palestra.
Një tjetër pyetje kishte të bënte me mundësinë e rikthimit në “Big Brother”, këtë herë në një edicion të ri, në një kohë kur rrjetet sociale dhe fama që krijohet përmes tyre kanë ndryshuar ndjeshëm mënyrën se si përjetohet formati.
Çepani nuk la shumë vend për dyshime, duke thënë se nuk do të pranonte një ftesë të dytë. Ai e cilësoi eksperiencën e parë si një përvojë të veçantë, por theksoi se sot ka angazhime që nuk do t’i lejonin të qëndronte për një kohë të gjatë në shtëpinë e “Big Brother”.
“Jo, nuk besoj. Ajo është një eksperiencë që unë e kam kaluar dhe ka qenë shumë e bukur për kohën kur mora pjesë. Ishte një eksperiment social për veten time dhe për ambientin ku jetoja, për të parë se si reagoja me njerëzit me të cilët ndaja një shtëpi të mbyllur. Ishte një eksperiencë jashtëzakonisht interesante, por, në kushtet në të cilat jam, e kam të pamundur për shkak të kohës fizike”, deklaroi Arbër Çepani.
#ArbërÇepani #BigBrotherAlbania #TechTalk #Showbiz #KristiGongu

