3 milionë euro do të përdoren nga fondi i rindërtimit i vitit 2026 për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 2019-ës në Shijak, Vorë e Krujë. Bëhet fjalë për banesa që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë të riforcohen.

Rreth 20 milionë lekë i janë akorduar bashkisë Shijak, 221 milionë lekë Vorës dhe 77 milionë lekë Krujës.

V E N D I M

PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE NË BASHKITË SHIJAK, VORË DHE KRUJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, nenit 13, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr. 97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 319 350 424 (treqind e nëntëmbëdhjetë milionë e treqind e pesëdhjetë mijë e katërqind e njëzet e katër) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të banesave individuale për ata individë, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë, që rezultojnë me shkallë dëmi DS4 dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në bashkitë Shijak, Vorë dhe Krujë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Shijak i transferohet fondi, në masën 20 376 100 (njëzet milionë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind) lekë pa TVSH;

b) Bashkisë Vorë i transferohet fondi, në masën 221 966 407 (dyqind e njëzet e një milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e shtatë) lekë pa TVSH;

c) Bashkisë Krujë i transferohet fondi, në masën 77 007 917 (shtatëdhjetë e shtatë milionë e shtatë mijë e nëntëqind e shtatëmbëdhjetë) lekë pa TVSH.

2. Efekti financiar përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2026, dhe i transferohet bashkive Shijak, Vorë dhe Krujë në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe bashkitë Shijak, Vorë dhe Krujë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.