FMN vlerëson qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, misioni zhvillon takime me guvernatorin Sejko


Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar ecurinë e ekonomisë në Shqipëri. Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar zhvilloi takime me përfaqësues të Bankës së Shqipërisë të fushave të ndryshme, si dhe me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Në takim u diskutuan zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, ecuria e inflacionit dhe e kursit të këmbimit, si dhe gjendja e sistemit bankar dhe roli i tij në financimin e ekonomisë.
Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare vijon të tregojë qëndrueshmëri, ndërsa konsumi, investimet dhe aktiviteti i shërbimeve mbeten mbështetës të rritjes ekonomike.
Duke u ndalur tek inflacioni, Guvernatori Sejko theksoi se politika monetare mbetet e orientuar drejt garantimit të stabilitetit të çmimeve. Banka e Shqipërisë po ndjek me kujdes ecurinë e çmimeve, zhvillimet në tregun e punës dhe ndikimet nga mjedisi i jashtëm, duke e mbështetur vendimmarrjen në të dhënat e reja dhe në parashikimet për ekonominë.
Misioni i FMN-së vuri në dukje se kalimi gradual drejt një qëndrimi neutral të politikës monetare ishte i përshtatshëm, duke pasur parasysh pozicionin ciklik të ekonomisë.
360grade.al



















