Forcim i bashkëpunimit me policinë britanike në luftën kundër krimit të organizuar


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mirëpriti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Koordinatorin e Policive Britanike për Ballkanin Perëndimor, Nick Bellingham, i cili drejton Portofolin e 43 Policive Britanike për Ballkanin Perëndimor, dhe delegacionin që e shoqëronte.
Takimi, në të cilin morën pjesë edhe drejtorët e departamenteve të Policisë Kriminale dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, si dhe Drejtori i Institutit të Policisë Shkencore, synoi konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Gjatë fjalës së mbajtur në takim, Hita falënderoi Bellingham dhe delegacionin që e shoqëronte për gatishmërinë e agjencive ligjzbatuese britanike për të bashkërenduar punën me strukturat e Policisë së Shtetit shqiptar.
Si tregues të suksesit dhe konkretizimit të këtij bashkëpunimi, Hita përmendi Task-Forcën e përbashkët kundër migracionit të paligjshëm, e cila është kthyer në një model efektiv ndërinstitucional, me rezultate të matshme, ulje drastike të rasteve dhe goditje të forta ndaj krimit të organizuar. Gjithashtu, Hita evidentoi ekspertizën e avancuar dhe asistencën e ndërsjellë me Policinë Shkencore, elemente të cilat kanë forcuar ndjeshëm kapacitetet hetimore dhe provueshmërinë ligjore.
Ndërkaq, Bellingham vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit si një model të suksesshëm bashkëpunimi ndërkombëtar. Ai gjithashtu vlerësoi profesionalizmin e Policisë së Shtetit dhe shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen për ta çuar më tej këtë partneritet.
Takimi promovoi qëllimin e të dyja agjencive për të intensifikuar bashkëpunimin, me fokus shtimin e ekipeve të përbashkëta hetimore për goditjen e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, si dhe specializimin e mëtejshëm të strukturave të Policisë së Shtetit në fushat e krimit kibernetik dhe pastrimit të parave, nëpërmjet trajnimeve dhe ekspertizës britanike.
Një tjetër objektiv kyç i zgjerimit të bashkëpunimit është asistenca teknike dhe profesionale për përfundimin me sukses të procesit të akreditimit të Institutit të Policisë Shkencore, që do të garantojë standardet më të larta të ekspertizës dhe hetimeve.
Gjithashtu, gjatë takimit, Hita dhe Bellingham vlerësuan rolin e oficerëve të kontaktit në koordinimin efektiv të bashkëpunimit operacional ndërmjet dy policive.




360grade.al



















