Nga pasuritë e krimit te mbështetja sociale, AAPSK financoi 20 projekte gjatë vitit 2026

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka mbështetur 20 projekte gjatë vitit 2026, duke orientuar financimet dhe ripërdorimin social të pasurive drejt parandalimit të kriminalitetit, rehabilitimit të viktimave, riintegrimit social dhe fuqizimit të grupeve vulnerabël. Sipas të dhënave, evidentohen 1,035 përfitues dhe profesionistë të trajnuar, ndërsa edhe pasuri të paluajtshme janë përdorur për qëllime sociale.

Projektet janë realizuar përmes bashkëpunimit me organizata të shoqërisë civile, duke synuar që pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nga veprimtaria kriminale të shndërrohen në instrumente konkrete në shërbim të komunitetit.

Mbështetja është përqendruar veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë, viktimat e trafikimit, personat në proces rehabilitimi, familjarët e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë, si dhe kategoritë e tjera në nevojë.

Sipas raportimit të AAPSK-së, 728 fëmijë dhe të rinj janë përfshirë në programe edukimi, ndërgjegjësimi, zhvillimi dhe parandalimi të kriminalitetit.

Një tjetër kategori e rëndësishme janë personat në proces rehabilitimi dhe riintegrimi social. Në këtë grup raportohen 217 persona të mbështetur përmes programeve dhe shërbimeve të dedikuara.

Ndërkohë, 136 viktima të trafikimit janë përfshirë në programe mbështetëse, rehabilitimi dhe riintegrimi, ndërsa 82 viktima të krimit kanë përfituar nga shërbime dhe aktivitete të ndryshme.

Mbështetja ka përfshirë gjithashtu familjarë të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë, persona me aftësi të kufizuara dhe ndërhyrje sociale në komunitete vulnerabël. Paralelisht, 75 profesionistë janë trajnuar për të përmirësuar kapacitetet në ofrimin e shërbimeve dhe mbështetjen e kategorive në nevojë. Në total, 325 persona kanë marrë shërbime të drejtpërdrejta, ndërsa 185 persona janë përfshirë në programe rehabilitimi dhe riintegrimi social.

Sipas të dhënave të AAPSK-së, 98 persona janë përfshirë në programe formimi profesional dhe arsimimi, ndërsa nëntë persona kanë marrë mbështetje drejt punësimit.

Projektet e mbështetura fokusohen në mbrojtjen, rehabilitimin dhe riintegrimin social e ekonomik të viktimave të trafikimit, veçanërisht grave, vajzave dhe fëmijëve, përmes strehimit, asistencës psikologjike e ligjore, arsimimit dhe mbështetjes për punësim.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm është rehabilitimi i të miturve dhe të rinjve në konflikt me ligjin, përgatitja e tyre për rikthimin në shoqëri dhe parandalimi i përsëritjes së veprave penale. Mbështetja shtrihet edhe te parandalimi i kriminalitetit përmes edukimit, artit, ndërgjegjësimit, përfshirjes sociale dhe rehabilitimit të personave me histori varësie nga substancat.

Projekte të veçanta synojnë mbrojtjen dhe fuqizimin e viktimave të dhunës, si dhe mbështetjen ekonomike të familjarëve të punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë. Në tërësi, këto nisma synojnë kthimin e pasurive të përfituara nga veprimtaritë kriminale në burime mbështetëse për komunitetin, duke nxitur ripërdorimin social, integrimin dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike.

Një nga elementet më të rëndësishme të veprimtarisë së AAPSK-së është ripërdorimi social i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

Gjatë vitit 2026, në kuadër të projekteve të raportuara, dy pasuri të paluajtshme janë përdorur për qëllime sociale.

Në këtë mënyrë, ripërdorimi social shërben edhe si një instrument për të rikthyer në shërbim të shoqërisë pasuri që më parë kanë qenë të lidhura me veprimtari të paligjshme.

Projektet e mbështetura kanë pasur shtrirje në qarqet Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, duke përfshirë bashkitë Tiranë, Kamëz, Elbasan, Vlorë, Selenicë dhe Sarandë, si dhe iniciativa me shtrirje kombëtare.

360grade.al

Monarkia e pashpallur e stabilitetit!

Të tjera

Galeria
Rreth nesh

360 grade.al është një portal që synon të sjellë shumë të vërteta të fshehura dhe të anashkaluara në realitetin shqiptar. Simbas parimit se e Vërteta nuk është monopol i askujt dhe se përgjithësisht e drejta është më shumë në Mes, se sa në Skaj.

Duke refuzuar radikalizmin politik, apo atë të qëndrimeve, si një përcjellës të Gënjeshtrës përmes deformimit, Errësirës përmes zhurmës dhe të Antishtetit përmes kauzave të rreme, nga cilido krah ai të paraqitet.

Kontakt

Adresa: Rruga Gjin Bue Shpata,
Njësia Bashkiake Nr.5. Kati i 1.
Tirane, Shqipëri