Vendosni fjalën kyçe....

“Rama në ditën e tij më të keqe, të bashkuar fitojmë Tiranën” – Këlliçi


Nënkryetari i PD-së Këlliçi tha në foltoren e Ripërtëritjes së Tiranës se kryeministri Rama është në ditën e tij më të keqe.

Deputeti demokrat theksoi se PD-ja proteston prej 13 vitesh dhe ajo e Flamingove ka ndodhur pikërisht nga zjarri ka mbajtur gjallë selia blu.

“Nëse ka pasur një protestë të flamingove, nëse ka pasur një protestë të studentëve, kjo ka ndodhur në vitin 2016, për shkak se Partia Demokratike, për shkak se ju, keni 13 vite që protestoni çdo ditë. Partia Demokratike ka 13 vite që proteston çdo ditë. Nëse katër vite më parë në Tiranë ne organizonim foltore në një situatë krejt të paprecedentë, ku ishim pa vulë, pa logo, pa simbolet tona, sot ne jemi në një situatë krejt tjetër. Edi Rama është në ditën e tij më të zezë. Nuk ka sondazh, jo të pavarur, por as të vetë Partisë Socialiste, që nuk e nxjerr Edi Ramën humbës në Tiranë. Në të gjithë Shqipërinë e nxjerr humbës, por mbi të gjitha e nxjerr humbës në Tiranë. Ama, me një kusht: bashkimin e të gjithë opozitës.

Një shprehje e famshme e presidentit të 16-të amerikan, Abraham Lincoln, në vitin 1858, në një fjalim të famshëm, ‘House Divided Speech’, ka qenë e tillë: ‘Një shtëpi e përçarë kundër vetvetes nuk mund të qëndrojë në këmbë’.” – tha Këlliçi.

Më tej nënkrytetari i selisë blu shtoi se është koha që të gjithë ata që duan largimin e Edi Ramës të bashkohen në në flamur të vetëm.

“Por sot unë dua t’i bashkohem thirrjes së doktor profesor Sali Berishës, thirrjes së Partisë Demokratike për çdo forcë politike opozitare që e sheh veten kundërshtare me Edi Ramën. Sot është momenti që ne të lëmë mënjanë çdo pakënaqësi, të lëmë mënjanë çdo inat, të vendosim përpara nesh një objektiv madhor që duhet të ketë çdo opozitar në Shqipëri: largimin e Edi Ramës, duke nisur me fitoren e Tiranës. Sot është mundësia që Tiranën ne t’ua kthejmë qytetarëve. Bashkia e Tiranës sot është një objektiv 100% i arritshëm për t’u fituar nga opozita, me të vetmin kusht: bashkimin. Shumë baltë na kanë hedhur, shumë të pavërteta kanë thënë për Partinë Demokratike, por prapë pjekuria jonë politike dhe momenti historik na diktojnë një bashkim pa kushte. Kur themi pa kushte, pa diskutim, ne jemi partia më e madhe politike opozitare në vend dhe nuk i vendosim kujt kushte. Por, nga ana tjetër, pa diskutim, askush nuk mund t’i vendosë kushte Partisë Demokratike.” – mbylli Këlliçi.