Arbër Çepani, fituesi i edicionit të parë të Big Brother në Top Channel dhe tashmë sipërmarrës, ka qenë i ftuar në emisionin “Tech Talk”, ku ka diskutuar rreth vëmendjes mediatike ndaj jetës private dhe komenteve që marrin personazhet publike.
Kur gazetarja Kristi Gongu e pyeti nëse do të preferonte që ndonjë pjesë e jetës së tij të mos bëhej publike, ai u përgjigj se këtë nuk e kontrollon dot. Megjithatë, theksoi se mund të zgjedhë të mos i hedhë benzinë zjarrit duke mos ushqyer lajmet rozë; për këtë arsye, së fundmi ai shmang daljet në televizion apo media kur nuk ka diçka thelbësore për të thënë dhe prania e tij do të shërbente thjesht për të mbushur një hapësirë televizive.
Të lidhura
None found
Për sa i përket cenimit të privatësisë dhe komenteve në rrjetet sociale, Çepani vuri në dukje se nuk bëhet fjalë për një fenomen vetëm shqiptar, por për diçka që ndodh në mbarë botën. Sipas tij, personazhet publike komentohen kudo dhe kjo dukuri “ka lindur dhe do të vdesë me njerëzimin”.
Kur u pyet për fotografinë e fundit që kishte realizuar, ai u përgjigj me humor: “Obobo! Unë mund të kem qenë në kushte… Jo për gjë, por erdha edhe nga palestra. Mund të kem qenë… shtatë pasaporta dhe 84 shikime syri, ju thoni foto e fundit.”
Në vijim të bisedës, Kristi Gongu e pyeti nëse do ta pranonte një ftesë të dytë për të hyrë në Big Brother, tani që rrjetet sociale si TikTok dhe Instagram kanë ndryshuar mënyrën se si shihet ky eksperiment social dhe çdo gjë kthehet shpejt në meme apo lajm. Çepani u përgjigj se nuk beson se do të rihynte, duke e cilësuar pjesëmarrjen e mëparshme si një përvojë shumë të bukur për kohën kur u zhvillua. Ai e përshkroi atë si një eksperiment social për veten dhe për ambientin ku jetonte, për të parë se si reagonte me njerëzit me të cilët ndante një shtëpi të mbyllur. Shtoi gjithashtu se ishte një përvojë jashtëzakonisht interesante, por në kushtet aktuale e ka të pamundur për shkak të kohës fizike.







