Danimarka dëbon atasheun ushtarak rus, dyshohet përfshirja e Moskës në tentativën për vrasjen e reperit ukrainas në Kopenhagë
Qeveria e Danimarkës ka vendosur të dëbojë atasheun ushtarak të ambasadës ruse në Kopenhagë, pas dyshimeve për përfshirjen e Moskës në një tentativë të dështuar vrasjeje ndaj një reperi ukrainas në territorin danez.
Vendimi u bë publik të premten nga Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, gjatë një konference për shtyp. Ai konfirmoi se diplomati rus ka afat një javë për t’u larguar nga vendi.
“Sapo kemi thirrur ambasadorin rus në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe e kemi njoftuar atë për vendimin e qeverisë për të dëbuar atasheun ushtarak rus nga Danimarka brenda shtatë ditësh”, deklaroi Rasmussen.
Prapavija e komplotit të 25 shtatorit
Sipas raportimeve të mediave daneze, ngjarja daton më 25 shtator dhe shënjestër e sulmit ishte reperi Kyivstoner, i cili mban shtetësi ukrainase dhe amerikane. Plani u parandalua nga forcat e sigurisë pak përpara fillimit të një koncerti në të cilin artisti ishte parashikuar të performonte.
“Ne besojmë se ekzekutimi duhej të ndodhte po atë mbrëmje, gjatë një koncerti ku ishte planifikuar të performonte objektivi”, u shpreh Kieffer-Kristensen.
Pak para nisjes së aktivitetit, policia ndaloi tre individë në një automjet pranë vendit të ngjarjes, ku gjatë kontrollit u zbuluan armë zjarri dhe thika.
Akuzat dhe lidhjet me bandën e ndaluar “Loyal to Familia”
Pas hetimeve të zhvilluara, ndaj dy personave u ngritën zyrtarisht akuzat për tentativë vrasjeje dhe për ndihmë të dhënë ndaj një shërbimi të inteligjencës së huaj në operacionet e tij në Danimarkë.
Të dy të akuzuarit rezultojnë të lidhur me bandën kriminale “Loyal to Familia” (LTF), një grupim i shpallur i jashtëligjshëm dhe i ndaluar nga autoritetet daneze që prej vitit 2021. Duke komentuar rëndësinë e këtij operacioni të parandaluar, Kieffer-Kristensen theksoi se ky rast shpërfaq “një Rusi gjithnjë e më agresive dhe që merr përsipër rreziqe”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



