Integrimi në tregun evropian, qeveria miraton masat përgatitore për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Sistemin e Informacionit të Tregut të Brendshëm (IMI)

Ekonomi | 1 minutë më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin “Për masat përgatitore dhe shoqëruese për pjesëmarrjen e ardhshme të Republikës së Shqipërisë në Sistemin e Informacionit të Tregut të Brendshëm (IMI)”, duke hedhur bazat institucionale, organizative dhe procedurale për bashkëpunimin administrativ me vendet e Bashkimit Evropian.

Vendimi u mor në mbështetje të ligjit “Për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Zbatimi me dy faza, ndarja mes përgatitjes dhe aksesit operacional

Sistemi IMI është mjeti elektronik i centralizuar që zhvillohet dhe mirëmbahet nga Komisioni Evropian për shkëmbimin e informacionit dhe ndihmën e ndërsjellë ndërmjet autoriteteve kompetente të shteteve anëtare. Vendimi përcakton qartë se zbatimi i tij do të kryhet në dy faza.

Faza përgatitore (menjëherë pas hyrjes në fuqi)

Përfshin ngritjen e strukturave kombëtare, mbajtjen e regjistrave, trajnimin e nëpunësve dhe “simulimet para anëtarësimit” pa lidhje me sistemin operacional. Gjatë kësaj kohe, çdo shkëmbim informacioni mbetet procedurë e brendshme dhe “nuk përfshin asnjë shkëmbim me autoritetet e shteteve anëtare ose me Komisionin Evropian”.

Faza operacionale (pas aktivizimit të aksesit)

Shkëmbimi i drejtpërdrejtë i informacionit dhe bashkëpunimi administrativ me vendet e BE-së nis vetëm në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian (ose në një datë më të hershme të përcaktuar me marrëveshje detyruese me BE-në). Përpara këtij momenti, “asnjë autoritet nuk mund të pretendojë statusin e IMI-t, të regjistrojë përdorues operacionalë në sistemin IMI ose të transmetojë a të shkëmbejë informacion nëpërmjet sistemit IMI”.

Struktura institucionale dhe përgjegjësitë

Për koordinimin e këtij procesi në nivel qendror, rregullator dhe vendor, vendimi ngre një zinxhir të qartë institucional. Koordinatori kombëtar përgatitor i IMI-t, caktohet Ministria përgjegjëse për ekonominë dhe tregtinë, e cila pas aktivizimit të aksesit merr rolin e Koordinatorit Kombëtar të IMI-t (NIMIC) dhe të menaxhuesit të aksesit. Ajo mban regjistrin e institucioneve, organizon trajnimet dhe raporton çdo vit për gatishmërinë institucionale e teknike.

Koordinatorët sektorialë caktohen me urdhër të titullarëve në ministri, autoritete të pavarura rregullatore dhe bashki, për të koordinuar fushat specifike legjislative (duke marrë rolin e koordinatorëve të deleguar DIMIC pas anëtarësimit).

Personat institucionalë të kontaktit caktohen nga çdo autoritet kompetent si pika referimi për komunikimin e brendshëm dhe trajnimet, ndërsa pas aktivizimit të sistemit shërbejnë si pika kontakti me vendet e BE-së.

Meqenëse IMI është një aplikacion qendror i Komisionit Evropian, pjesëmarrja nuk kërkon ndërtimin e një sistemi të ri kombëtar, por vetëm sigurimin e aksesit të sigurt në internet, pajisjeve të punës dhe mjeteve të identifikimit elektronik për përdoruesit.

Mbrojtja e të dhënave dhe afatet e njoftimeve

Vendimi vendos garanci të forta për sekretin profesional, konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje me ligjin nr. 124/2024 dhe rregulloren evropiane (BE) nr. 1024/2012, nën mbikëqyrjen e pavarur të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Gjithashtu, përcaktohen afate strikte për procedurat e njoftimit të projektakteve: autoritetet kompetente duhet t’i dërgojnë ministrisë projektaktet të paktën 30 ditë përpara miratimit, ndërsa për rastet urgjente të justifikuara nga interesi publik, njoftimi në Komisionin Evropian (pas aktivizimit të aksesit) bëhet jo më vonë se 15 ditë pas miratimit. Brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, ministria përgjegjëse për ekonominë dhe tregtinë miraton formatet standarde dhe procedurat e brendshme të raportimit.

/rtsh/al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme