Kryebashkiaku i Beogradit goditi me grusht këshilltaren, rrezikon tre vjet burg

Rajon

Publikuar: 20/11/2026

Kryebashkiaku i Beogradit goditi me grusht këshilltaren, rrezikon tre vjet burg

Gjyqësori serbe ngriti të premten akuza ndaj kryetarit nacionalist të Bashkisë së Beogradit, Aleksandar Sapiç, për sulm ndaj një këshilltareje bashkiake të opozitës në muajin shtator, duke i shkaktuar asaj lëndime të rënda.

Sapiç, një figurë e njohur e Partisë Nacionaliste SNS, e cila ishte në pushtet në Serbi deri në humbjen e zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar, akuzohet se ka goditur me grusht në fytyrë këshilltaren bashkiake Tatjana Micic.

“Viktima pësoi fraktura nga hunda deri te nofulla e sipërme, si dhe dëmtime në qafë dhe në krahun e djathtë, të cilat përbëjnë një tërësi të rëndë dëmtimesh”, theksoi prokuroria në një deklaratë. Kryetari i bashkisë rrezikon deri në tre vjet burg.

Lëvizja opozitare Kreni-Promeni, së cilës i përket Micic, akuzoi Sapiçin se kishte sulmuar atë dhe bashkëshortin e saj mbrëmjen e 28 shtatorit, në një periferi të Beogradit. Lëvizja publikoi në internet pamje filmike të sulmit dhe të dëmtimeve në fytyrën e viktimës.

Kryetari i Bashkisë së Beogradit, i marrë në pyetje nga policia, mohoi se kishte sulmuar këshilltaren bashkiake, duke pranuar vetëm se kishte pasur një debat të ashpër dhe një përleshje fizike me bashkëshortin e saj.

Megjithatë, prokuroria bëri të ditur se kishte marrë në pyetje dëshmitarë, kishte shqyrtuar pamjet filmike dhe kishte konsultuar raportet mjekësore përpara ngritjes së akuzave.

Ndërkohë, partitë opozitare kërkuan dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, por ai e refuzoi këtë kërkesë.

SNS, e cila qeverisi Serbinë për 14 vjet, humbi pushtetin në vend pas fitores së thellë të lëvizjes së udhëhequr nga studentët në zgjedhjet parlamentare të tetorit, por vazhdon të kontrollojë Bashkinë e Beogradit.