Trump: Putin dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë përmes diplomacisë!
Donald Trump ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë përmes diplomacisë, duke shprehur besimin se ekzistojnë mundësi të mira për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, pas samitit trepalësh me Vladimir Putinin dhe presidentin kinez Xi Jinping në Kinë, Trump tha se kreu i Kremlinit i kishte shprehur qartë dëshirën për përfundimin e konfliktit.
“Gjatë takimit tim me Putinin, ai shprehu qartë dëshirën e tij që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të përfundojë përmes mjeteve diplomatike”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump bëri të ditur se përpjekjet diplomatike vijojnë dhe se përfaqësuesit amerikanë po punojnë për të gjetur një zgjidhje, por pranoi se negociatat janë të vështira.
“Përfaqësuesit tanë po bëjnë një punë të mirë, por është një mision i vështirë. Problemi është se presidenti Zelensky dhe presidenti Putin kanë një urrejtje të jashtëzakonshme për njëri-tjetrin dhe kjo nuk është kurrë e lehtë”, u shpreh ai.
Megjithatë, Trump shprehu optimizëm për një marrëveshje të mundshme.
“Besoj se ekziston një mundësi shumë e mirë që të arrijmë një marrëveshje”, tha ai.
Presidenti amerikan pretendoi se rreth 25 mijë persona, kryesisht ushtarë, humbasin jetën çdo muaj në luftën në Ukrainë. Ai përsëriti gjithashtu pretendimin se pushtimi rus nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të ishte president i SHBA-së në atë kohë.
Sipas Trump, Putini i kishte thënë se nuk do ta kishte nisur pushtimin nëse në krye të Shtëpisë së Bardhë do të ishte ai.
“E pyeta: A do të kishe pushtuar nëse unë do të isha president? Dhe ai m’u përgjigj: Jo, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë”, tregoi Trump.
Ai hodhi poshtë gjithashtu kritikat se mban një qëndrim tepër miqësor ndaj Moskës, duke kujtuar se gjatë mandatit të tij të parë SHBA-të i furnizuan ukrainasit me raketa antitank Javelin.
Trump paralajmëron taksë të rëndë për kompanitë që ndërtojnë qendra të dhënash jashtë SHBA-së
Gjatë konferencës, presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se synon të vendosë një taksë shumë të lartë ndaj kompanive amerikane që ndërtojnë qendra të të dhënave (data centers) jashtë vendit.
Sipas tij, masa synon t’i nxisë kompanitë të investojnë në territorin amerikan dhe të mos zhvendosin projektet e tyre në shtete të tjera.
“Nuk do t’i lejojmë kompanitë të ndërtojnë qendra të të dhënave në vende të tjera. Nëse e bëjnë këtë, do t’u vendosim një taksë të jashtëzakonshme. Duam që t’i ndërtojnë këtu”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se shumë shtete amerikane kanë infrastrukturën energjetike dhe burimet e nevojshme për të pritur investime të tilla.
Trump bëri të ditur gjithashtu se kishte rënë dakord me presidentin kinez Xi Jinping për vendosjen e rregullave të përbashkëta të sigurisë në fushën e inteligjencës artificiale, ndërsa shprehu vlerësim për kompaninë amerikane Anthropic.
Trump për Iranin: Duan marrëveshje, por jo një marrëveshje që unë mund ta pranoj
Një tjetër çështje e diskutuar ishte Irani. Trump pretendoi se Teherani dëshiron të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin, por nuk është i gatshëm të pranojë kushtet amerikane.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje, por nuk duan një marrëveshje që të jetë e pranueshme për mua”, deklaroi presidenti amerikan.
Ai theksoi se SHBA-të kërkojnë një marrëveshje të vërtetë dhe jo, siç u shpreh, një marrëveshje fiktive.
Trump sulmon sërish Rezervën Federale për normat e interesit
Gjatë konferencës, presidenti amerikan kritikoi sërish Rezervën Federale (Fed) për nivelin e normave të interesit, të cilat i cilësoi tepër të larta, duke kërkuar uljen e tyre.
Ai foli edhe për ekonominë amerikane, duke pretenduar se ajo po rritet më shpejt se ekonomitë e tjera të mëdha të zhvilluara.
Sipas Trump, prodhimi industrial ka shënuar dhjetë muaj radhazi rritje, ndërsa investimet në pajisje të reja janë rritur me 21%.
Ai pretendoi gjithashtu se çmimi i naftës bruto është ulur me 20% që prej fillimit të nëntorit, duke iu afruar nivelit prej 80 dollarësh për fuçi.
Në fund, Trump deklaroi se pas samitit të APEC pritet të nënshkruhen edhe dhjetë marrëveshje të tjera tregtare.
Konferenca e presidentit amerikan u zhvillua në prani të zëvendëspresidentit JD Vance, sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe sekretarit të Thesarit Scott Bessent.




