Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani kërkon një marrëveshje, por jo me kushte që ai mund t’i pranojë, ndërsa ka përsëritur se Teherani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore. Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pas udhëtimit në Azi, Trump foli edhe për mundësinë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, konkurrencën me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale dhe përdorimin e vetos presidenciale pas zgjedhjeve të mesmandatit.

Duke folur për Iranin, presidenti amerikan tha:

“Irani dëshiron një marrëveshje, por nuk dëshiron një marrëveshje që të jetë e pranueshme për mua. Ne duam një marrëveshje të vërtetë, jo një të rreme”.

Trump e cilësoi operacionin kundër Iranit si një “lëvizje të vogël ushtarake”, ndërsa shtoi: “Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”.

“Unë kam qenë i pari që kam folur për çarmatimin bërthamor të botës”, deklaroi ai, duke shtuar se “Rusia ka të paktën 3 mijë koka bërthamore”.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se po qarkullon një “thashethem” sipas të cilit Irani po ndërton një bombë të pistë. Ai shtoi se, nëse Teherani po e bën vërtet një gjë të tillë, Shtetet e Bashkuara do ta zbulonin dhe do ta pengonin.

Duke kaluar te inteligjenca artificiale dhe qendrat e të dhënave, Trump deklaroi:

“Duhet të ndërtojmë qendrat e të dhënave. Nuk do të lejoj që ato të vendosen në vende të tjera. Nuk mund të lejojmë që Kina t’i marrë të gjitha. SHBA-ja është përpara në fushën e superinteligjencës. Edhe Xi është dakord që ta quajmë superinteligjencë dhe jo inteligjencë artificiale. Dhe kemi rënë dakord të vendosim kufij të përbashkët”.

Trump kërcënoi se do të vendosë një “taksë shumë të rëndë” ndaj kompanive amerikane që ndërtojnë qendra të dhënash jashtë vendit.

“Me çipat dhe gjithçka tjetër, lejuan që kjo të ndodhte dhe kjo i shkaktoi një dëm të madh vendit tonë”, tha ai.

“Kinës do t’i shesim vetëm çipa të gjeneratës së vjetër. Nëse nuk ua shesim, do t’i prodhojnë vetë”, shtoi Trump.

I pyetur për largimin e Huang nga Nvidia, presidenti amerikan deklaroi:

“Një person i shkëlqyer. Do të doja që t’i jepej një mundësi e dytë”.

Trump foli edhe për luftën në Ukrainë, duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund konfliktit përmes diplomacisë.

“Putin ka shprehur dëshirën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë me mjete diplomatike. Po zhvillojmë bisedime shumë të mira, ka mundësi të mira për të arritur një marrëveshje. Në Rusi dhe Ukrainë vdesin 25 mijë njerëz në ditë”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan shtoi se as presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe as Putin nuk dinë si t’i japin fund luftës.

Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, Trump e cilësoi veton presidenciale si një “pushtet ekstrem” dhe tha se kërcënimi i tij për të bllokuar ligjet do t’i shtynte demokratët të zbusnin politikat e tyre.

“Ata do të më dërgojnë projektligje dhe unë do të vendos veton. Pastaj do të më dërgojnë të tjera dhe unë do të vendos sërish veton”, deklaroi Trump.

“Dhe mund të vazhdojnë kështu për dy vjet e një muaj, sepse kjo është koha që kemi në dispozicion, dhe unë do të vazhdoj të vendos veton”, shtoi presidenti amerikan.

Lajmi në përditësim