Anthropic nuk qetëson bursat/ “Flluska” e AI-t, tërmet në tregjet financiare globale

20/11/2026 20:00

Tregjet financiare gjenden sërish nën presion pas rikthimit të shqetësimeve mbi qëndrueshmërinë e investimeve në inteligjencën artificiale.

Entuziazmi që krijoi  debutimi i suksesshëm i kompanisë Anthropic në bursë, duket nuk qe i mjaftueshëm  për të qetësuar investitorët.

Pas humbjeve prej rreth 2% në Ëall Street, rënia është përhapur në tregjet aziatike dhe europiane. Bursat në Azi e mbyllën ditën me humbje të ndjeshme. Ajo në Seul regjistroi rënien më të fortë me 5.21 %, e pasuar nga bursa e Tokios ku indeksi Nikkei humbi 5,06%.

Në territor negativ përfunduan gjithashtu Hong Kongu (-2,2%), Shangai (-1,2%) dhe Shenzheni (-3,6%). Presioni i shitjeve u përqendrua veçanërisht te kompanitë e teknologjisë dhe prodhuesit e gjysmëpërçuesve.

Aksionet e Advantest ranë me 10%, Tokyo Electron me 7%, ndërsa Samsung Electronics humbi 7% dhe gjiganti tajvanez TSMC afro 5%.

Sipas analistëve, investitorët po tërheqin kapitalin nga tregu i aksioneve dhe po orientohen drejt instrumenteve më të sigurta financiare, veçanërisht obligacioneve shtetërore.

Nga Milano, e deri në Frankfurt e Paris, edhe bursat europiane e nisën që të gjitha ditën me humbje.

Debutimi historik i Anthropic në bursë nuk arriti të ndryshojë klimën e pasigurisë. Aksionet e kompanisë, që u ofruan fillimisht me çmimin 83 dollarë, u hapën me një rritje prej 34% dhe e mbyllën ditën në 97,17 dollarë, duke fituar 17%.

Megjithatë, ky sukses nuk i ka bindur investitorët se rritja e sektorit të AI-it mund të vazhdojë me të njëjtin ritëm.

Në tregje po shtohen dyshimet mbi vlerësimet gjithnjë e më të larta të kompanive të teknologjisë dhe mbi mundësinë që investimet masive në inteligjencën artificiale të mos justifikojnë pritshmëritë.

Pasigurive u shtohen edhe kufizimet e mundshme të administratës Trump për eksportin e çipave amerikanë, të cilat mund të ndikojnë në të gjithë industrinë globale të teknologjisë.

Top Channel